Maqedoni
Dita Ndërkombëtare e Lëvizjes pa vetura, Shkupi edhe sot me komunikacion të ngarkuar
22.09.2020 16:08
Qytetarët e vendit edhe në ditën ndërkombëtare të lëvizjes pa vetura...

Qytetarët e vendit edhe në ditën ndërkombëtare të lëvizjes pa vetura nuk mund t’i lënë për një ditë automjetet e tyre jashtë përdorimit. Rrugët e kryeqendrës si çdo ditë tjetër edhe sot ishin të stërngarkuara. Të anketuarit për TVM2 nuk kanë njohuri për një ditë si kjo, por theksojnë se krahas faktit që shumica e konsiderojnë lëvizjen me vetura si të patjetërsueshme, ata më shpesh përdorin mënyra tjera të lëvizjes për shkak të kryerjes së obligimeve në mënyrë më efikase, më me pak shpenzime si dhe për mbrojtjen e ambientit jetësor.
“Ka shumë dobi të lëvizësh pa makinë. Buxhetin e kursen, shëndetin e ruan dhe të jesh më i shëndoshë është më mirë të ecësh pa makinë. Ndonjëherë edhe më shpejt mbërrin pa makinë se me makinë, sidomos në ditët e sotit kur është në të gjitha anët qyteti është me rrëmujë të makinave. Përndryshe, edhe pa makinë nuk mund të jetohet.”,- tha një qytetar.
“Që përdoren makinat e vërej çdo ditë, mirëpo që është dita ndërkombëtare nuk e kam ditur, seriozisht. Në çdo aspekt, në daç shëndetësi, në daç për komunikacionin, në daç xhepit, si të mendoni në çdo drejtim është më e mirë.”,- theksoi një qytetar.
“Minimalisht i përdorin biçikletat dhe sa më shumë i përdorin makinat, siç po e shihni edhe vetë. Në kryeqytet më shumë lëvizi në këmbë, kallaballëk i madh, komunikacion i dendur dhe nuk na mundëson më shumë të lëvizim me makina.”,- theksoi një qytetar.
22 shtatori me aktivitete të ndryshme në 51 shtete dhe përreth 2900 qytete në botë shënohet si Dita Ndërkombëtare e Lëvizjes pa automjete e cila ka për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve që për një ditë të mos përdorin veturat e tyre dhe inkurajimin e tyre që sa më pak të përdorin makinat dhe mjetet tjera transportuese në distanca të shkurtra. Rreth 1.4 bilion vetura në ditë vërshojnë rrugët e botës, kjo mënyrë e lëvizjes llogaritet si një nga ndotësit më të mëdhenj të ajrit në botë.
LEUNORA KALIQI
