Maqedoni
Covid-19, 5 viktima, 88 raste të reja e 135 të shëruar
22.09.2020 17:00
5 persona kanë humbur betejën me Covid-19 në 24 orët e fundit....

5 persona kanë humbur betejën me Covid-19 në 24 orët e fundit. Viktimat janë një 53 vjeçar nga Tetova, një 57 vjeçar nga Prilepi dhe tre 60 vjeçar nga Manastiri, Gostivari dhe Struga. Nga 1618 teste të bëra në 24 orët e fundit janë regjistruar 88 raste të reja, kryeson Shkupi me 45 raste, qytetet e tjera kanë nga më pak se 10. Lajmi i mirë është numri i të shëruarve që në 24 orët e fundit arriti në 135.
Filipçe: Situata është serioze, do të shtrëngojmë masat
Ministri Filipçe fajin për mosrënien e shifrave Covid ua hedh qytetarëve të cilët, sipas tij, shkelin të gjitha masat duke rrezikuar edhe jetën e tyre, edhe të të tjerëve. Të infektuarit, sipas analizave, nuk kanë respektuar as distancën as mbajtjen e maskave e kryesisht virusin e kanë marrë nga qëndrimi në ambiente me shumë njerëz, kryesisht në dasma, mbledhi familjare, por edhe festa nëpër kafene.
Komisioni për Sëmundje Ngjitëse po përpilon masat e reja që përfshijnë mbajtjen obligative të maskave edhe në ambiente të hapura, dënime për organizuesit e ahengjeve familjare, protokolle të rrepta për punën e lokaleve e restoranteve, ulje e kapacitetit të transportit publik.
“Ne do të forcojmë masat dhe kontrollet dhe ju bëj thirrje të kuptoni mesazhin se situata është shumë serioze. Unë sinqerisht shpresoj se ne nuk do të arrijmë deri në karantinë, as në masa të reja kufizuese dhe që ato të mos zbatohen. Por analizat tregojnë se masat nuk po respektohen në hapësirat publike. Qëllimi ynë është të sjellim masa në kohë që do të parandalojnë përhapjen e virusit. Ne duam ti shmangim kufizimet në lëvizje, por nëse është e nevojshme, ne me siguri që do ta bëjmë edhe atë.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Autoritetet shëndetësore i frikësohen paralajmërimeve për rikthim të virusit në vjeshtë. Ende nuk dihet kur do të jetë gati vaksina e re e nuk ka asnjë vendim se nga ku do të furnizohet me të vendi ynë. Ende nuk ka vendim as për hapjen e kufijve. Grupi i ekspertëve nga vendet ballkanike, ende po e diskuton këtë çështje.
SEDAT SELIMI
