Maqedoni

Rasti “Titanik”, dëshmitari: Firma në fletëpagesë nuk është e imja

22.09.2020 17:21

Rasti “Titanik”, i nisur nga ish PSP, vazhdoi këtë të martë me dëgjimin e dëshmitarëve...

Njëri prej tyre, Nako Nikolovski, pohoi se është anëtar i VMRO-DPMNE që nga vitet e 90-ta dhe gjithmonë ka dhuruar para për partinë, por këtë e ka bërë direkt në Komitetin Komunal të VMRO–DPMNE-së në Kërçovë, e jo përmes bankës. Ai mohon se nënshkrimi në fletëpagesën prej 60 mijë denarësh është i tij.
 
“Unë asnjëherë nuk kam paguar në ndonjë bankë në emër të partisë, por çdo muaj i dhuroj selisë së VMRO-DPMNE-së, apo nëndegës së partisë në Kërçovë. Shuma më e lartë që kam dhuruar ishte 20 mijë denarë në vitin 2011 para zgjedhjeve, dhe para kësaj kam paguar një tarifë anëtarësie prej dy deri në tre mijë denarë. Deri në momentin kur jam thirrur në PSP nuk e dija që në emrin tim ishte paguar një shumë prej 60 mijë denarësh. Unë pashë fletëpagesën gjatë marrjes në pyetje dhe nënshkrimi nuk ishte i imi.”,- deklaroi dëshmitari, Nako Nikolovski. 
 
Në pyetjen e prokurores, Ilija Dimovska, nëse ka pasur mbi 500 persona të cilët kanë paguar anëtarësinë, Nikollovski tha se ka edhe më shumë se kaq e të gjitha mjetet e grumbulluara nga nëndega e Kërçovës, janë transferuar në parti përmes bankës.
 
Të akuzuar kryesorë në rastin Titanik, janë ish-ministrja e Brendshme Gordana Jankulovska, ish-ministri i Transportit Mile Janakievski, ish-deputeti Ilija Dimovski dhe zyrtarë të tjerë të lartë të VMRO-DPMNE.
 
Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohen për veprat penale; shkelje të të drejtës zgjedhore, shkelje të lirisë së përcaktimit të votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrim të materialit zgjedhor dhe keqpërdorim të mjeteve për financimin e fushatës zgjedhore. Seanca e radhës do të mbahet për më 29 shtator. 
 
FITIM KRYEZIU