Maqedoni

Kuvendi zgjedh zëvendësministrat. Zaev: Kuadro efikase që do realizojnë prioritetet. Micevski: Kandidatët, pa përgatitje adekuate

22.09.2020 17:36

Kompletohet kabineti qeveritar. Kryeministri, Zoran Zaev, i propozoi Kuvendit kandidatët...

Kompletohet kabineti qeveritar. Kryeministri, Zoran Zaev, i propozoi Kuvendit kandidatët për zëvendësministra dhe ftoi deputetët që t’i përkrahin ato.
 
(Kuvendi, me shumicë votash, zgjodhi zëvendësministrat në kabinetin qeveritar). 
 
Sipas kryeministrit, Zoran Zaev, kandidatët janë kuadro cilësor, të cilët do të kryejnë detyrat në ekzekutiv në harmoni me ligjet dhe përcaktimet e qeverisë për të realizuar programin e qeveritar dhe zbatimin e interesave strategjike të Maqedonisë së Veriut.    
 
“Me emërimin e zëvendësministrave në Qeveri e kompletojmë sistemin e institucioneve efikase dhe të fuqishme me kapacitet dhe legjitimitet të plotë. Të cilët do të punojnë me efikasitet në përballjen me pandeminë dhe tejkalimin e pasojave nga pandemia Kovid-19, si një nga prioritetet e para. Jam i bindur se me një angazhim më të fuqishëm zëvendësministrat do të përkushtohen edhe në realizimin e prioriteteve të tjera, si krijimi i kushteve për rritje ekonomike dinamike, shtet ligjor efikas dhe institucione të fuqishme.”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
 
VMRO-DPMNE në opozitë u shpreh kundër propozimit të kryeministrit Zaev. Konsideron se kandidatët nuk kanë përgatitje adekuate për postet që propozohen ndërsa një pjesë e tyre kanë dështuar në postet paraprake. 
 
“Unë personalisht por edhe grupi parlamentar i VMRO DPMNE-së nuk do të japim përkrahje për kuadro të tilla dhe do të jemi korrigjues të mëdhenj të të gjitha parregullsive që ndodhin dhe që do të ndodhin në Maqedoni.”,- u shpreh Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
 
Zëvendësministra sipas dikastereve do të jenë: Bashkim Hasani, zëvendësministër i mbrojtjes; Nazim Bushi, zëvendësministër i punëve të brendshme; Agim Nuhiu, zëvendësministër i drejtësisë; Fatmire Isaki, zëvendësministre e jashtme; Ilir Hasani, zëvendësministër i shëndetësisë; Arafat Shabani, zëvendësministër i arsimit; Bekim Rexhepi, zëvendësministër i transportit; Sedat Sulejmani, zëvendësministër i kulturës; Ilhan Rahman, zëvendësministër në Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive; Dimitar Kovaçevski, zëvendësministër i financave; Zoran Manevski, zëvendësministër i ekonomisë; Trajan Dimkovski, zëvendësministër i bujqësisë; Enver Husein, zëvendësministër i punës dhe politikës sociale; Zoran Dimitrovski, zëvendësministër i pushtetit lokal; Aleksandar Bajdevski, zëvendësministër i administratës dhe  Hristina Oxhaklieva, zëvendësministre e ambientit.            
 
SHPËTIM NUREDINI