Rasti "Target dhe Fortesa”, dëshmojnë gazetarët, kërkojnë dëmshpërblim

22.09.2020 18:53

Rreth 20 gazetarë, por dhe politikanë të përgjuar gjatë viteve 2008-2015 dëshmuan...

Rreth 20 gazetarë, por dhe politikanë të përgjuar gjatë viteve 2008-2015 dëshmuan në procesin gjyqësor "Target dhe Fortesa". Shumica prej tyre në kohën kur janë përgjuar numrat e tyre telefonik kanë qenë në pozitat e kryeredaktorëve të mediave televizive dhe të shkruara.
 
Një pjesë e tyre edhe para publikimit të përgjimeve nga kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, thanë se ka pasur raste kur kanë dyshuar se bisedat e tyre përgjohen. Gazetarët ndjehen të dëmtuar dhe kërkojnë dëmshpërblim.
 
“Ajo që më ka penguar ka qenë josiguria nga ndjenja që jemi përgjuar. Është shkelur intimiteti, siguria ime personale dhe e familjes dhe në fund kjo paraqet shkelje të sigurisë së burimit të informatave me ato që kemi kontaktuar në kohën që jemi përgjuar. Prezent është edhe mosbesimi në sistemin, pasi akoma nuk u zbulua se kush na përgjoi.”,- deklaroi dëshmitari, Goran Mihajllovski.
 
“Siç e dini, për 10 vite mundohemi të gjejmë kuadër që do të bëjë ndjekje të pronës së personave të eksponuar në politikë, si Mijallkov, dhe të ndjekim krim të organizuar dhe korrupsion. Unë në kohën kur jam përgjuar atë dhe e kam punuar. Ne kemi vuajtur të gjejmë njerëz, pasi ishim target dhe sundonte frika dhe nuk mundeshim të gjejmë gazetarë që do ta punonin atë. Sot profesioni ynë pëson dëme dhe ky rast duhet të shërbejë si shembull se si një shoqëri mund të kthehet prapa kur ndodhin kështu procese jodemokratike.”,- theksoi dëshmitarja, Sasha Cvetkovska.
 
Gazetari, Sasho Ordanovski, tha se ai është në numrin e 5 personave më të përgjuar dhe transkriptat e tij të përgjimeve përmbajnë 10 mijë faqe. Dëshmitari, Goran Sugarevski, tha se ndjehet i dëmtuar po nuk kërkon dëmshpërblim në këtë procedurë ndërsa se është përgjuar ka kuptuar pas publikimit të përgjimeve nga Zaev.
 
Sipas akuzës  në periudhën prej viti 2008 -2015 në mënyrë joligjore janë ndjekur 4.286 numra telefonik ,përmes tre sistemeve të komunikimit në DSK pa urdhër gjyqësor. Janë përgjuar mbi 20 mijë qytetarë.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI