Maqedoni
Mickoski: VMRO-DPMNE objekt sulmi i hienave politike. LSDM: Asgjë nuk ka ndryshuar në “Pallatin e bardhë”
22.09.2020 19:07
Hristian Mickoski mbetet në krye të VMRO-DPMNE-së. Komiteti qendror refuzoi kërkesën e Mickoskit...

Hristian Mickoski mbetet në krye të VMRO-DPMNE-së. Komiteti qendror refuzoi kërkesën e Mickoskit për mbajtjen e kongresit të jashtëzakonshëm në të cilin ai nuk do të kandidonte përsëri. Gjithashtu në 6 muajt e ardhshëm nuk mund të dorëzohet kërkesë e re për kongres.
“VMRO-DPMNE-ja gjithmonë, nga hienat politike dhe të tjerat, ka qenë, është dhe do të jetë objekt sulmi. Të gjithë duan ta vënë në shënjestër shtyllën kryesore dhe bartëse të nacionalitetit maqedonas dhe shtetit maqedonas. Detyrë e kësaj gjenerate politikanësh në VMRO-DPMNE është ta mbajë këtë strukturë të pastër dhe të ruhet nga hienat politike, pa dallim a janë ata nga kundërshtari jonë politik, nga brenda, ose nga vende të tjera.”,- tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Me dështimin e propozimit të Mickoski për kongres të jashtëzakonshëm të partisë nuk janë të kënaqur iniciatorët për kongres të jashtëzakonshëm në VMRO-DPMNE. Sipas tyre, Hristian Mickoski duhet të kishte dhënë dorëheqje e jo të fshihet pas Komitetit Qendror.
Nga LSDM nuk janë të surprisuar aspak nga ajo që ndodhi një ditë më parë në partinë më të madhe të opozitës. Sipas tyre, matrica e VMRO-DPMNE-së mbetet e njëjtë dhe ajo vazhdon të udhëhiqet nga Nikolla Gruevski.
“Ngjarjet e fundit në VMRO-DPMNE janë dëshmi se brenda në parti nuk ka ndryshuar asgjë. Kur ta shikoni përbërjen e Komitetit ekzekutiv, përfshirë këtu edhe Antonio Milloshovskin dhe gjithë ekipin e drejtuar nga Nikolla Gruevski, mund të përfundojmë se struktura kriminale në “Pallatin e bardhë” mbetet.”,- u shpreh zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.
Komiteti qendror i VMRO-DPMNE-së ka zgjedhur anëtarët e rinj të komitetit ekzekutiv si dhe pritet të zgjidhet sekretari gjeneral, pasi që i mëparshmi dha dorëheqje për arsye personale.
SANIJE DURAKU
