Botë

Covid-19, 3 viktima në Shqipëri, asnjë viktimë në Kosovë. Greqia me rekord të infektuarish

22.09.2020 20:16

Në Shqipëri, gjatë 24 orëve të fundit kanë ndërruar jetë tre pacientë, 131 kanë rezultuar pozitiv dhe 52 qytetarë janë shëruar...

Në Shqipëri, gjatë 24 orëve të fundit kanë ndërruar jetë tre pacientë, 131 kanë rezultuar pozitiv dhe 52 qytetarë janë shëruar, duke e çuar në 6940 që nga fillimi i epidemisë. Aktualisht janë 5257 raste aktive.
 
“Ju informojmë se aktualisht në Spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 201 pacientë, 17 në terapi intensive, nga të cilët 8 pacientë janë të intubuar. Ju informojmë se në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e mjekëve, e kanë humbur betejën me COVID-19 një 78 vjeçar nga Peqini, një 80 vjeçare dhe një 87 vjeçar nga Tirana.”,- deklaroi Rovena Daja nga Instituti i Shëndetit Publik. 
 
Lajme të mira vijnë nga Kosova, pasi në 24 orët e fundit nuk është raportuar asnjë viktimë nga koronavirusi. Mësohet se nga 503 mostra të marra, 66 raste kanë rezultuar pozitive.
 
Ndërsa janë shëruar 141 pacientë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri tani është gjithsej 12.815 raste, kurse numri i rasteve aktive është 1.778.
 
Instituti më tej thekson se situata epidemiologjike me COVID-19 paraqitet e stabilizuar me tendencë të rënies në javët në vazhdim, si rezultat i zbatimit të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
 
Nga vendet e rajonit, Greqia shënon numrin më të lartë të rasteve ditore me COVID-19 me gjithsej 453 raste të reja duke e çuar numrin e të infektuarve  15,500, ndërsa viktimat kaluan shifrën 340 që prej muajit mars.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU