Maqedoni

Eurointegrimi, Nesho: RMV tregoi mençuri në tejkalimin e krizave

23.09.2020 15:12

Rajoni i Ballkanit Perëndimor, i quajtur shpeshherë si “fuçi baruti”, aktualisht ndodhet mes përpjekjeve për integrim...

Rajoni i Ballkanit Perëndimor, i quajtur shpeshherë si “fuçi baruti”, aktualisht ndodhet mes përpjekjeve për integrim, zgjidhje konfliktesh mes vendeve dhe bashkëpunimit të ndërsjellë. Diplomati, Agim Nesho, për TVM2 analizon situatën, duke deklaruar se ajo që i bashkon aktualisht këto vende është përpjekja për qarkullimin e elitave të reja drejtuese dhe shmangien e konflikteve. Maqedonia e Veriut, në syrin e diplomatit Nesho, është një ndër vendet që ka treguar shumë mençuri në tejkalimin e vështirësive etnike si dhe në zgjidhjen e krizave.
 
“Këtu ka fituar vizioni i tyre properëndimor dhe kjo tregohet me rezultatet e arrira që RMV sot ka në integrimin e saj euroatlantik. Kanë avancuar shumë dy marrëveshjet e fundit, sidomos ajo për emrin që i siguroi edhe hyrjen në institucionin më të rëndësishëm të arkitekturës së sigurisë, NATO-n, si dhe lëvizjet e fundit për kompromis që bënë me shqiptarët. Është diçka për t’u vlerësuar dhe admiruar për mënyrën se sa shpejt dhe sa sigurt politika e RMV-së po ecën përpara.”,- tha ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB, Agim Nesho.
 
Politika e Shqipërisë për rajonin, Nesho: Rama ka protagonizëm, por jo strategji
 
Sa i përket qëndrimit të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, karshi politikës në rajon, Nesho e sheh më shumë si protagonizëm se sa si strategji.
 
“Sigurisht ka qenë promotor i iniciativave të z Vuçiq, për një Ballkan i cili mund të kishte korrigjime gjeostrategjike. Mendoj që është më tepër një diletant në politikë, me ambicie politike personale, sesa një udhëheqës me një doktrinë e një strategji e që bazohet në institucione.”,- deklaroi Nesho.
 
Sa i përket  marrëveshjes Kosovë-Serbi, sipas tij, arritja e njohjes reciproke do të jetë një mision i ngadaltë e i vështirë. Ndërsa fitorja e opozitës në Malin e Zi, më shumë se ndëshkim për korrupsionin e Gjukanoviç vjen si përpjekje e qytetarëve për udhëheqës më vizionar, theksoi Nesho për TVM2.
 
LULJETA NDOKA