Maqedoni
Mblidhet Këshilli i Sigurisë, Pendarovski: Gjendja e sigurisë është stabile
23.09.2020 17:31
Gjendja e sigurisë në vend është stabile dhe nuk ka rrezik për t’u kërcënuar sovraniteti...

Gjendja e sigurisë në vend është stabile dhe nuk ka rrezik për t’u kërcënuar sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit ka konstatuar Këshilli i Sigurisë, i cili është mbledhur për ta analizuar situatën politike dhe e sigurisë në vend pas anëtarësimit në NATO, deklaroi presidenti, Stevo Pendarovski. Sipas tij, organet me kujdes po ndjekin situatën e sigurisë në vend.
“Përfaqësuesit e shërbimeve përkatëse dhe ministrive referuan për dinamikën e brendshme të sigurisë dhe në rrethin tonë. Këshilli ka konstatuar se gjendja në vend dhe rajon është stabile dhe se nuk ka indikacione për rrezik të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit tonë. Organet kompetente në kontinuitet ndjekin të gjitha situatat të cilat potencialisht mund të kthehen në problem serioz të sigurisë përfshi këtu edhe valën e re të refugjatëve.”,- tha presidenti, Stevo Pendarovski.
Në mbledhje është diskutuar edhe për implikimet e sigurisë që lidhen me vendosjen e rrjetit 5G në vendin tonë, gjithashtu Këshilli ka diskutuar edhe gjendjen me pandeminë e cila mbetet sfida kryesore edhe në periudhën që vjen me ndikim mbi ekonominë dhe shëndetësinë por sipas analizave siç sqaroi presidenti Pendarovski nuk pritet që të ketë zhvillime të cilat do të kenë impakt mbi gjendjen e përgjithshme të sigurisë së vendit.
NAIM RAMADANI
