Maqedoni

Kuvendi zgjedh zëvendësministrat, opozita kundër, shumica beson te kandidatët

23.09.2020 18:22

Kuvendi vijoi debatin mbi propozimin e kryeministrit për zgjedhjen e zëvendësministrave...

Edhe në ditën e dytë të debatit, opozita arsyetoi qëndrimin e saj kundër, pasi konsideron se kandidatët për zëvendësministra nuk kanë përgatitjen adekuate për të drejtuar ministritë përkatëse. Akuzuan qeverinë, si qeveri të krimit dhe tenderëve, madje dhe e cilësuan edhe si qeveri të qejfit.     
 
“Gabim më të madh dhe kuadër më të keq se këto 16 persona nuk mund të gjenit. Mendoj se edhe opozita sikur t’jua zgjidhte nuk mund t’i gjente. Kemi propozim për zëvendësministër, i cili do të kryesojë me Ministrinë për mbrojtje, i cili ka përgatitje profesionale Fakultetin për Arsim Fizik, Sport dhe Shëndet “DIF”. Ky njeri duhet të hyjë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe te jetë mes dy drejtuesve kryesor të një ministrie thelbësore për shtetin, në periudhe kur kemi një milion obligime ndaj NATO-s?!.”,- tha Igor Janushev nga VMRO-DPMNE.
 
Pavarësisht akuzave të opozitës, propozuesi, i doli në mbrojte propozimit të tij. Konformë kushtetutës, çdo qytetar ka të drejtën të zgjedh dhe të zgjidhet. Zaev, beson në kuadrot që ka propozuar. 
 
“Pse komente për secilin se prej nga vjen?! Dikush nga kandidatët për zëvendësministra vika nga bankat shkollore, dikush nga ndonjë institucion tjetër dhe të ngjashme. Pse qenka e ndaluar që njerëzit të vijnë në funksionet më të larta shtetërore nga vendet e tyre të punës?! Edhe ju vini prej diku. Edhe unë vi prej diku. Në institucionin më të lartë shtetëror, siç është Parlamenti.”,- theksoi  kryeministri, Zoran Zaev.
 
Ndërkaq, opozita shqiptare me vërejtje procedurale për kryetarin e Kuvendit. E akuzuan se, përkundër marrëveshjes, e ka zhvendosur deputetin e tyre nga lista e deputetëve të paraqitur për fjalë. Mirëpo Xhaferi tha se, përpilimi i listës është e drejta e tij ekskluzive.     
 
SHPËTIM NUREDINI