Maqedoni

Ndërtimi i hidrocentraleve në malin Sharr. Protestë e aktivistëve: Po shkatërrojnë natyrën

23.09.2020 19:31

Ndërtimi i pakontrolluar i shumë hidrocentraleve në malin Sharr...

Ndërtimi i pakontrolluar i shumë hidrocentraleve në malin Sharr, ka nxitur reagimin e organizatave ekologjike, që protestuan mbrëmë në Tetovë, duke kërkuar që të ndalohen ndërtimet.
 
Akuzojnë se ndërtimi pa kontroll rrezikon humbjen e ujit të pijshëm për tetovarët, por gjithashtu shkatërron florën dhe faunën e malit Sharr. Ata do të nisin edhe një fushatë kundër ndërtimit të hidrocentraleve. Paralajmëruan një marsh protestues të dielën në Leshnicë të Kodrës së Diellit.
 
“Leshnicën ta mbrojmë dhe ta kthejmë në gjendjen e mëparshme. Kishte edhe disa sugjerime nga ekspertë të ndryshëm këtu që të veprohet edhe në aspektin juridik që të shkohet me kërkesë për respektimin e konventave evropiane dhe ligjeve ndërkombëtare për mbrojtje të Leshnicës, apo Smeraldit të Sharrit.”,- deklaroi Hamdi Sulejmani.  
 
“Të gjithë e dimë se mali Sharr mbrohet si park nacional, por lumenjtë po shkatërrohen dhe thahen nga ndërtimi i hidrocentraleve të vogla. Me zvogëlimin e ujit në lumin Shkumbin rrezikohet edhe furnizimi me ujë të pijshëm në Tetovë, kështu që tetovarët do të kenë më pak ujë në vitet e ardhshme.”,- tha Dejan Doneski nga Klubi Malor i Shkupit.
 
VISAR SADIKI