Mali i Zi, konstituohet kuvendi, mungon Gjukanoviç
Në Mal të Zi është konstituuar përbërja e re e kuvendit në të cilin shumicën...

Në Mal të Zi është konstituuar përbërja e re e kuvendit në të cilin shumicën do ta kenë tre koalicionet: “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, “Paqja është kombi ynë” dhe “E zeza mbi të bardhë”, të drejtuara nga Zdravko Krivokapiç, Aleksa Beçiç dhe Dritan Abazoviç.
Seanca konstituive filloi me intonimin e himnit kombëtar, e në këtë ceremoni nuk morën pjesë disa anëtarë të Frontit Demokratik, megjithatë, udhëheqësi i listës “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, me deputetët dhe mysafirë të tjerë të pranishëm respektuan himnin kombëtar.
Në seancë nuk mori pjesë presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç. Seancës konstituive të Kuvendit i parapriu një përpjekje për të arritur një marrëveshje midis përfaqësuesve të tre koalicioneve dhe drejtuesve të subjekteve politike të shumicës së re parlamentare, mbi mandatarin dhe përbërjen e qeverisë dhe ndarjen e ministrive.
Më parë krerët e tre koalicioneve fituese të zgjedhjeve kanë bërë publike parimet për formimin e Qeverisë së ardhshme të Malit të Zi.
Qeverisja e tyre do të përfshijë edhe bashkëpunimin me aleancën e NATO-s, mosvënien në diskutim të njohjes së Kosovës dhe se do të përjashtojnë mundësinë e ndryshimit të simboleve shtetërore të Malit të Zi.
