Maqedoni
Sh. F. “Liman Kaba” në Luboten, e gatshme për mësim me prezencë fizike
24.09.2020 15:21
Tetori po afrohet, ndërsa shkollat po bëjnë përgatitjet e tyre për fillimin e mësimit si me prezencë fizike...

Tetori po afrohet, ndërsa shkollat po bëjnë përgatitjet e tyre për fillimin e mësimit si me prezencë fizike, po ashtu edhe me mësim online. Në shkollën fillore “Liman Kaba” në Luboten gjithçka është gati, vetëm po presin dritë jeshile nga Komisioni i posaçëm qeveritar për fillimin e vitit shkollor me prezencë fizike, ndërkohë kanë bërë edhe trajnimin për mësim online.
Në bazë të protokollit janë vendosur shenja në oborr të shkollës, nëpër korridore dhe në klasa, me qëllim që nxënësit të ruajnë distance. Drejtoresha e kësaj shkolle, Ajfer Dibrani thotë se shkolla me rreth 400 nxënës i plotëson të gjitha kushtet dhe se të gjithë prindërit njëzëri kanë kërkuar që mësimi të mbahet me prezencë fizike, pasi që një pjesë e madhe e tyre nuk kanë kushte për mësim online.
“Ne i plotësojmë kushtet, komuna na i ka afruar të gjitha mjetet në bazë të protokollit, kemi bërë vizëbardha për hyrjen e nxënësve që të mbajnë distancë dhe daljen e nxënësve pas mbarimit të mësimit. Gjithashtu kemi edhe pëlqimin e prindërve që e gjithë shkolla të fillojë me prezencë fizike, d.m.th prej klasës së parë deri në klasën e nëntë. Ne si shkollë i plotësojmë kushtet për të mbajtur edhe mësim online, por nxënësit nuk i kanë kushtet.”,- tha drejtoresha e Sh. F. “Liman Kaba”, Ajfer Dibrani.
Drejtoria dhe arsimtarët: Nxënësit nuk kanë kushte për mësim online
Gjatë këtyre ditëve në këtë shkollë është mbajtur edhe trajnim i mësimdhënësve për mësim online. Arsimtarët thonë se janë të përgatitur edhe për këtë metodë të zhvillimit të mësimit, por se problemi qëndron tek nxënësit, pasi ata nuk kanë pajisje teknologjike.
“Me trajnimin jemi të kënaqur, e kemi kuptuar esencën. Por, ne njëkohësisht kemi punuar edhe aftësimin e kushteve për mësim me prezencë fizike.”,- theksoi arsimtari, Xhezmi Abduramani.
“Problemi më i madh do të jetë se si nxënësit do të lidhen me programin online, se lehtë është për ne si arsimtarë, por për ata më të moshuarit është më problem për përdorimin e pajisjes, po paramendoni si do të jetë për ato fëmijët e vegjël.”,- theksoi arsimtari, Hakim Jusufi.
“E shohim se do të kemi problem me nxënësit, d.m.th. aspekti teknik është evident, nxënësit nuk kanë internet nuk kanë pajisje.”,- u shpreh arsimtari, Arben Murseli.
Nga Ministria e Arsimit së fundmi kanë informuar se 169 shkolla fillore kanë marrë dritë jeshile për nisjen e mësimit me prezencë fizike, por ende nuk janë bërë publike emrat e shkollave.
ARMEND MURSELI
