Maqedoni
Spasovski rreth incidentit të “Komitëve”: MPB ishte efikase në rastin e gjuhës së urrejtjes
24.09.2020 16:19
MPB po punon rreth incidentit në Gjorçe Petrov të shkaktuar nga grupi i tifozëve “Komitët”...

MPB po punon rreth incidentit në Gjorçe Petrov të shkaktuar nga grupi i tifozëve “Komitët” dhe në përgjithësi rreth përdorimit të gjuhës së urrejtjes, thotë ministri i brendshëm, Oliver Spasovski. Sipas tij, për rastin e fundit MPB ka qenë efikase dhe ka bashkëpunuar ngushtë me organet gjyqësore dhe janë identifikuar personat, ndërsa mbetet që organet gjyqësore të shqiptojnë dënimet.
“Këto raste, ku përdoret gjuha e urrejtjes, sidomos për rastin e fundit, MPB ka qenë efikase, ku ka bashkëpunuar me Prokurorinë Publike dhe janë identifikuar personat të cilët kanë marrë pjesë në këtë rast, i cili ka pasur mundësi të shndërrohet në një prishje të pakthyeshme të rendit dhe situatës së sigurisë në vend dhe për këtë rast janë ngritë procedura penale. Kjo tregon se jemi të vendosur që gjuhën e urrejtjes të mos ta lejojmë. Por, duhet këtu një efikasitet edhe nga Prokuroria Publike që të procedohen këto raste sa më shpejt dhe të shqiptohen dënimet.”,- deklaroi ministri i MPB-së, Oliver Spasovski.
Spasovski: Qytetarët nuk i ndjekin procedurat për shtetësi
Sa i përket një numri të konsiderueshëm qytetarësh shqiptarë të cilët përballen me mospajisjen me shtetësi edhe pse me dekada jetojnë në Maqedoninë e Veriut, Spasovski tha se një pjesë e qytetarëve nuk i kanë ndjekur të gjitha procedurat për t’u pajisur me nënshtetësi.
“Ne disa herë kemi biseduar për punën e qytetarëve të cilët nuk kanë nënshtetësi dhe këto qytetarë i ndajmë në dy grupe, qytetarë të cilët jetojnë më shumë vite në vend dhe qytetarë të cilët nuk kanë ndjekur ligjet e vendit. Prandaj në këtë drejtim kishim një grup të personave t’i quajtur fantom të cilët aspak nuk janë identifikuar asnjëherë me ndonjë institucion shtetëror. Ndërsa personat e grupit të parë janë si pasojë e ndarjes së Maqedonisë nga ish-Jugosllavia të cilët nuk kanë dorëzuar kërkesë për t’u pajisur me nënshtetësi të Maqedonisë.”,- theksoi ministri i MPB-së, Oliver Spasovski.
Këto prononcime Spasovski i bëri gjatë vizitës së tij në Qendrën Policore në Gjorçe Petrov, ku foli për të arriturat e Policisë në drejtim të modernizimit të pajisjeve dhe ofrimit të sigurisë për qytetarët.
FITIM KRYEZIU
