Maqedoni

Shekerinska: Presim ndihmën bullgare, jo pengesa

24.09.2020 16:42

Interes strategjik edhe i Bullgarisë është që i tërë rajoni të jetojë më mirë ndërsa fqinjët të shihen si aleatë...

Interes strategjik edhe i Bullgarisë është që i tërë rajoni të jetojë më mirë ndërsa fqinjët të shihen si aleatë, tha ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, duke komentuar deklaratën e homologut të saj, Krasimir Karakaçanov, se vendi i tij nuk është kundër, por se nuk është koha për konferencën ndërqeveritare për fillimin e negociatave. Ne presim që aleatët tanë, duke përfshirë Bullgarinë mike, të ndihmojnë në  këtë drejtim, shtoi ministrja i mbrojtjes, Radmila Shekerinska.
 
“Nëse ka një gjë që kemi mësuar në këto 30 vite të trazuara ballkanike, është se emocionet nuk janë një aleat i mirë në zgjidhjen e çështjeve dypalëshe. Ne dëshmuam se mund të jemi miq me të gjithë fqinjët tanë. Ne gjithashtu dëshmuam se jemi të gatshëm të investojmë në marrëdhënie të tilla aleate dhe do të vazhdojmë të ndërtojmë një politikë të tillë. Ne presim që aleatët tanë dhe miqtë tanë të ndihmojnë rajonin, jo ta shtyjnë atë prapa. Mënyra e vetme për të ndihmuar këtë rajon është t'i japim një shans për të pasur një të ardhme më të mirë evropiane.”,- deklaroi ministrja e mbrojtjes, Radmila Shekerinska.
 
Karakaçanov: Kundër konferencës ndërqeveritare BE-RMV
 
Ndërkohë, ministri bullgar i mbrojtjes, Krasimir Karakaçanov për TV Evropa ka deklaruar e Bullgaria do të mbajë qëndrimin se nuk është koha për konferencë ndërqeveritare midis BE-së dhe RMV-së. Sipas tij, Maqedonia ka pasur tre vite kohë të respektojë, por nuk po respekton Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë. 
 
“Bullgaria nuk ka asgjë për të ndryshuar në politikën e saj. Këta njerëz nuk kanë ndërmend të realizojnë dialog të sinqertë me Bullgarinë. Mendojnë se mund t’i mbulojnë gjërat. Ata imagjinojnë se dikush në Bruksel ose diku në botë do të bëjë presion mbi Bullgarinë dhe ne do të gjunjëzohemi.”,- u shpreh ministri i mbrojtjes i Bullgarisë, Krasimir Karakaçanov.
 
Në dhjetor, RMV pret që të mbajë mbledhjen e parë ndërqeveritare me BE-në.
 
NAIM RAMADANI