Maqedoni
Tribunë për perspektivën europiane, shoqëria lëviz para, institucionet ngecin
24.09.2020 16:56
Në 30 vjet demokraci plurale, vendi po ngec në transformimin e institucioneve...

Në 30 vjet demokraci plurale, vendi po ngec në transformimin e institucioneve, ndërkaq shoqëria po ndryshon thuajse me ritmet e shoqërive perëndimore. Ky është njëri nga konstatimet në tribunën e organizuar nga “Katedra Adenauer 2020” dhe Qendra për Studime Evropiane kushtuar sfidave postzgjedhore dhe perspektivës europiane.
“Çdo gjë ndryshoi në këto 30 vjet. Ndryshoi profili i nxënësit. Ndryshoi profili i njeriut të ri. Për fat të keq, nuk ndryshoi profili i institucioneve tona.”,- deklaroi profesori universitar, Kiril Barbareev.
Sipas ish kryeministrit teknik nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Emil Dimitriev, vendi ngec në zhvillimin e shpejtë të proceseve demokratike për shkak të institucioneve të dobëta dhe nënshtrimit të tyre ndaj ndikimeve politike.
“Institucionet fragjile janë nën ndikim ekstrem politik, gjë që e komplikon edhe më shumë situatën. Nga aspekti etnik dhe mundësia për t’u përhapur edhe në aspektin fetar, jetojmë në shoqëri bipolare, edhe pse të gjithë flasin për koncept qytetar dhe shoqëri për të gjithë, “de fakto” Maqedonia me veprimet e saj investon në shoqëri bipolare.”,- tha ish kryeministri, Emil Dimitriev.
Ndërkaq, profesori universitar, Aleksadar Spasonoski, ish deputet i VMRO-DPMNE-së konsideron se në këto 30 vjet Kuvendi nuk ka luajtur rolin e vet për të kontrolluar ekzekutivin. Madje, konsideron se që nga viti 1991 deri në përbërjen e fundit të Kuvendit kemi një nënshtrim të plotë të legjislativës ndaj ekzekutivit, që sipas tij paraqet problem serioz strukturor.
SHPËTIM NUREDINI
