Maqedoni
“Dhuna në komunën Qendër”, prokurorja Fetai kërkon dënime të rrepta
24.09.2020 17:15
Për nxitësit e dhunës para komunës Qendër, ndaj Nikolla Gruevskit dhe Mile Janakieskit....

Për nxitësit e dhunës para komunës Qendër, ndaj Nikolla Gruevskit dhe Mile Janakieskit, gjykata duhet të shqiptojë dënimet më të rrepta për të parandaluar të gjithë të tjerët që mund të kenë qëllime të ngjashme në të ardhmen. Me këtë kërkesë doli në fjalët përfundimtare të rastit prokurorja Fatime Fetai. Prokurorja qëndrimin e saj e bazon në audio bisedat e përgjuara ku i pandehuri i parë, Gruevski, më 1 qershor 2013, përmes telefonit ka kërkuar nga i akuzuari i dytë, Janakieski, të organizojë një protestë të një grupi më të madh të njerëzve para komunës së Qendrës.
“Propozoj që gjykata t’i shpallë fajtorë dhe t’iu shqiptojë dënime, ndërsa të merret parasysh edhe intensiteti i veprimeve. Për nxitësit nuk kam dyshim se duhet të jenë më të ashpra që të zmbrapsen të gjithë të tjerët që kanë qëllime të atilla.”,- tha prokurorja, Fatime Fetai.
Në seancën e sotme, prokurorja Fetai tërhoqi padinë në këtë lëndë ndaj këshilltares Daniella Rangellova, Borçe Bogdanovski dhe Millan Andonovski, ndërsa për Igor Boshkovskin kërkoi dënim me kusht.
Tërhiqet padia kundër Rangellovës për rastin
“Asnjëherë nuk kam mbështetur dhunën dhe kjo u dëshmua edhe në këtë lëndë, me vjen keq se u deshën të kalojnë 4 vite për ta dëshmuar.”,- theksoi ish këshilltarja në komunën Qendër, Daniella Rangellova.
Elenko Milanov, avokati që përfaqëson të akuzuarin, Mile Janakievski, konsteston të gjithë procesin. Theksoi se ajo që prokurori Fetai arsyeton për këtë rast është një aktakuzë krejtësisht e re.
“Prokuroria ka dhënë një aktakuzë krejtësisht të re, me një përshkrim të ri, i cili ndryshon shumë situatën. Në këtë aktakuzë të ndryshuar nuk janë dëshmitë e reja. Aktakuzën e re e bazon në fjalët përfundimtare të Tomisllav Lazarov, i cili ka pranuar fajin. Por, Llazarov ka pranuar fajin në aktakuzën e vjetër. A do ta pranonte Llazarov fajin edhe në këtë aktaktakuzë të re?”,- theksoi avokati mbrojtës, Elenko Milanov.
Gjykimi për këtë rast do të vazhdojë më 28 shtator me fjalët përmbyllëse të palës mbrojtëse.
ZEKIRJA MEXHITI
