Nesër fillon KB në karate, Jakupi atuja kryesore e Maqedonisë
Duke filluar prej nesër e deri të diellën, në Bremen të Gjermanisë do të zhvillohet kampionati i 22-të botëror në karate...

Duke filluar prej nesër e deri të diellën, në Bremen të Gjermanisë do të zhvillohet kampionati i 22-të botëror në karate, në të cilin do të marrin pjesë gjithsej 966 garues nga 107 vende të ndryshme botërore.
Në mesin e tyre, me përfaqësuesit e saj do të paraqitet edhe Maqedonia, ku atu kryesore si edhe zakonisht do të jenë Berat Jakupi dhe Emil Pavllov.
Djaloshi I artë nga Gostivari, Jakupi, paraqitjen e tij në kategorinë deri në 84 kilogram, do ta ketë që nesër, në ditën e hapjes të kampionatit botëror, me ç`rast nga kampioni I shumëfishtë ballkanik në konkurencën e juniorëve dhe seniorëve, si dhe kampioni evropian, të gjithë presim paraqitje të re të shkëlqyeshme dhe së paku një medalje.
Atuja tjetër e madhe e Maqedonisë në këtë botëror, do të jetë edhe Emil Pavllov, kampioni evropian nga Tampereja e këtij viti.
Karateisti nga Shtipi, në këtë mundial do të paraqitet në kategorinë deri në 60 kilogram, ditën e enjte. Maqedonia, rezultate të mira pret edhe në konkurencën ekipore te meshkujt, në lufta si dhe te femrat në kata.
Ndryshe përfaqësuesja e Maqedonisë, kishte një kontroll të shkëlqyeshme para këtij botërori, në Ballkaniadën e mbajtur në Ohër, kur fitoi gjithsej nëntë medalje, pesë prej të cilave të arta.
MUSTAFA ADEMI