Maqedoni

Dimitrov: Nuk duhet të sfidohemi me çështjen e gjuhës

24.09.2020 18:08

Zëvendëskryeministri për eurointegrime, Nikolla Dimitrov, e sheh çështje të brendshme dhe sovrane problemin...

Zëvendëskryeministri për eurointegrime, Nikolla Dimitrov, e sheh çështje të brendshme dhe sovrane problemin se kush është dhe çfarë gjuhe flet kombi maqedonas. Sipas tij, do të jetë e vështirë Shkupi dhe Sofja t’i përmbahen arritjes së qëllimit të marrëveshjes dhe rruga e tejkalimit të problemeve bilaterale thotë të jetë e vështirë. Në një debat online në temën për shtetin evropian, Dimitrov thekson se duhet të ketë limit në çështjet që mund të bisedohen në procesin eurointegrues, ndërsa pret në bisedime të respektohen vlerat dhe principet evropiane. 
 
“Vet mbiemri "evropian" duhet të nënkuptojë diçka dhe është shumë e vështirë, të themi t'i përmbahesh kuptimit të atij mbiemri, nëse ne sfidohemi me një gjë e cila nuk duhet të jetë çështje e shekullit  21, kush jemi dhe çfarë gjuhe flasim. Është çështje shumë e brendshme, që përfshihet në sovranitetit tonë dhe në të drejtën e vetëvendosjes dhe vetëshprehjes.”,- tha zëvendëskryeministri për eurointegrime, Nikolla Dimitrov.
 
Tcherneva: Të implementohet marrëveshja Shkup-Sofje
 
Përfaqësuesja nga Bullgaria në debat theksoi neglizhencën e dy palëve në implementimin e plotë të marrëveshjes mes Shkupit dhe Sofjes. 
 
“Ajo marrëveshje nuk funksionon në tërësi nga të dyja palët dhe për këtë nevojitet më tepër angazhim.”,- tha zyrtarja e Këshillit Evropian në Sofje, Vessela Tcherneva.
 
Lafond: RMV ka humbur kohë, zbatoni reformat
 
Zyrtari francez shprehu nevojën e implementimit të reformave dhe moshumbjen e kohës në rrugën eurointegruese.
 
“Shtetet duhet t’i bëjnë reformat dhe t’i implementojnë. RMV ka humbur kohë, jo për shkak të vullnetit të qeverisë, por për shkak të zgjedhjeve, qeverisë teknike dhe tash presim kornizën negociuese, por duhet të sigurohemi se reformat do të implementohen në RMV dhe Shqipëri.”,- tha këshilltari  francez i zëvendëskryeministrit për eurointegrime, Francois Lafond.
 
Debatuesit ishin të njëzëri se Gjermania do të angazhohet në maksimum që gjatë presidencës së saj të miratohet korniza negociuese nga vendet anëtare të BE-së në nëntor, ndërsa në dhjetor të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare mes BE-së dhe RMV-së.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU