Botë
“Gjahu” i Speciales, priten arrestime të tjera në Kosovë
25.09.2020 12:39
Prokuroria Speciale e Tribunalit të Hagës, dje në Kosovë ka realizuar arrestimin e parë, atë të Salih Mustafës...

Prokuroria Speciale e Tribunalit të Hagës, dje në Kosovë ka realizuar arrestimin e parë, atë të Salih Mustafës, i njohur si Cali. Arrestimi i djeshëm, në ditët në vijim mund të shoqërohet edhe me arrestime të tjera.
Prokuroria, në një njoftim për shtyp, ka spjeguar se Mustafa dyshohet që gjatë kohës së luftës, në një qendër të UÇK-së, në periferi të Prishtinës, ka marrë pjesë në ndalim dhe torturë të paligjshme të civilëve. Aty dyshohet që një person e ka humbur edhe jetën. Mustafa pas luftës ka qenë i angazhuar në TMK e më vonë edhe në FSK.
Në muajin shkurt, Prokuroria e këtij Tribunali i kishte dorëzuar propozim-aktakuzat para gjykatësve, të cilët brenda gjashtë muajsh do të duhej t’i konfirmonin ose t’i hidhnin poshtë pretendimet e prokurorëve.
Përveç propozim-aktakuzave të muajit shkurt, Prokuroria ka dorëzuar në muajin prill edhe disa propozim-aktakuza të tjera ku përfshihen krerët e UÇK-së, përfshirë këtu presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli. Afati i fundit për konfirmimin ose jo të këtyre aktakuzave, është muaji tetor.
