Maqedoni

Konferenca ndërqeveritare me Bullgarinë, Pahor: Zgjidhni problemet pa humbur kohë

25.09.2020 15:21

Shkupi dhe Sofja duhet të gjejnë zgjidhje dhe të tejkalojnë problemet bilaterale pa prolonguar konferencën...

Shkupi dhe Sofja duhet të gjejnë zgjidhje dhe të tejkalojnë problemet bilaterale pa prolonguar konferencën e parë ndërqeveritare mes BE-së dhe RMV-së, porositi presidenti slloven, Borut Pahor, në takim me homologun e tij, Stevo Pendarovski, në Shkup. Kërkoi edhe nga Bashkimi Evropian të aktivizojë më tepër diplomacinë e saj dhe të bëjë çmos për nisjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut në fund të vitit.
 
“E kuptojmë kompleksivitetin e çështjes mes dy shteteve. I kuptoj edhe përgjegjësitë dhe përkushtimin që dy shtetet e kanë ndaj BE-së, të gjeni një mënyrë  që çështja, e cila u paraqit në momentin e fundit, të zgjidhet pa u prolonguar fillimi i konferencës ndërqeveritare.”,- deklaroi presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor.
 
Pendarovski pret qëndrim zyrtar të Sofjes: Bullgaria nuk do të lejojë të bllokohemi në dhjetor
 
Kreu i shteti, Pendarovski, nuk dëshiron të komentojë deklaratat e politikanëve bullgarë, por pret Sofjen të dalë me qëndrim zyrtar qeveritar. Nuk beson se fqinji lindor do të bllokojë RMV-në në procesin integrues.
 
“Deri në këtë moment nuk ekziston pozicion zyrtar i Bullgarisë me të cilin ata kërkojnë prolongim të konferencës së parë ndërqeveritare. Ekzistojnë deklarata nga disa zyrtarë të Bullgarisë, por nuk është pozicion zyrtar në këto momente. Unë do të pres 1 - 2 javë të shohim se si do të rrjedh procesi negociues në Bruksel. Ka disa sinjale se mund të gjendet kompromis për disa çështje që i di opinioni, por jam absolutisht i bindur se miqtë tanë bullgarë nuk do të lejojnë që RMV të bllokohet në dhjetor.”,- tha presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski.
 
Zëvendëskryeministri bullgar, Krasimir Karakaçanov, ka paralajmëruar se Bullgaria do ta bllokojë konferencën e parë ndërqeveritare mes BE-së dhe RMV-së, sepse, sipas tij, RMV duhet të plotësojë kriterin politik të BE-së që kërkon nga shtetet t’i ketë zgjidhur problemet bilaterale, para se të fillojnë negociatat me BE-në.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU