Maqedoni

Marrëveshje politike për Prokurorin Publik, Mariçiq: Politika të qëndrojë larg gjyqësorit

25.09.2020 15:38

Prokurori publik nuk duhet të zgjidhet me marrëveshje politike, sepse politika nuk guxon të ndërhyjë në gjyqësor....

Prokurori publik nuk duhet të zgjidhet me marrëveshje politike, sepse politika nuk guxon të ndërhyjë në gjyqësor, është i prerë ministri i drejtësisë, Bojan Mariçiç, si përgjigje ndaj kërkesës së VMRO-DPMNE-së që prokurori publik të zgjidhet me propozimin e opozitës. Ishte ide e vjetër e jona, e fatkeqësisht opozita nuk kishte bashkëpunim konstruktiv me shumicën, por tani nuk është koha për ndryshime ligjore, thotë Mariçiq. 
 
“Kishte një mundësi që të pajtoheshim për këtë kur u miratua Ligji i ri për Prokurorinë Publike, por VMRO-DPMNE u largua dhe u tërhoq. Për këtë ide duhet të ndryshohet Kushtetuta, por tani nuk është koha për ta ndryshuar. Opozita do të ketë mundësinë të marrë pjesë dhe të luftojë për pikëpamjet e tyre në periudhën e ardhshme me propozime konstruktive. Ne nuk besojmë se është një mënyrë e mirë që Prokurori Publik të zgjidhet nga politikanët.”,- tha ministri i drejtësisë, Bojan Mariçiq.
 
Pastrimi i gjyqësorit, Mariçiq: Perceptimi për drejtësinë do të ndryshohet
 
Mariçiq paralajmëron pastrim të gjyqësorit. Të parët në rendin e ditës duhet të jenë rastet me një profil të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nuk përjashtoi as rastet e përmendura në raportin e Departamentit të Shtetit dhe raportin e Pribe-së.
 
“Ne kemi raporte nga Pribe dhe Departamenti i Shtetit Amerikan në të cilat janë specifikuar shumë qartë strukturat në gjyqësor dhe njerëz konkretë. Disa prej tyre nuk janë më pjesë e gjyqësorit, shumica e tyre janë, por ne kemi treguar se gjyqësori, kur dëshiron, ka fuqinë të reagojë ndaj atyre çështjeve. Nëse njerëzit në Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve Publikë bëjnë punën e tyre dhe japin rezultate, atmosfera dhe perceptimi për gjyqësorin do të ndryshojnë.”- theksoi ministri i drejtësisë, Bojan Mariçiq.
 
Nuk do të ketë verdikte të marra privatisht, as në telefon. Ne presim që gjyqtarët të vendosin me vullnetin e tyre të lirë dhe me ligj pa ndërhyrë në ekzekutiv dhe duke mbajtur ndarjen e pushteteve, tha Mariçiq. 


SANIJE DURAKU