Maqedoni
Lufta kundër korrupsionit, Nikollovski: Njerëzit e duhur në vendet e duhura
25.09.2020 15:51
Qeveria është e vendosur të luftojë korrupsionin, t’i japë fund edhe praktikës së nepotizmit dhe klientelizmit...

Qeveria është e vendosur të luftojë korrupsionin, t’i japë fund edhe praktikës së nepotizmit dhe klientelizmit në organet shtetërore dhe të zgjedhë njerëzit e duhur në vendin e duhur. Zëvendëskryeministri Nikollovski thotë se drejtuesit e institucioneve dhe anëtarët e bordeve që emërohen nga qeveria përmes konkursit, do të duhet të dorëzojnë program dhe letër motivimi, që në fund të mund të vlerësohet sa realizuan nga ajo që premtuan.
“Nuk mundemi që për disa ditë, muaj ose vite të ndryshojmë atë që për tri dekada nuk e ka bërë askush. Por do të fillohet prej diku. Për drejtorët e parë do të ketë konkurse, shpallje dhe duhet të dorëzojnë CV, letër motivimi dhe plan për punë. Flas për standarde dhe rregulla, të cilat ne kemi vullnet t’i vendosim. Kjo do të jetë mundësi që njerëz me kapacitetet e duhura të përfshihen në sistem dhe në institucione.”,- deklaroi zëvendëskryeministri për luftë kundër korrupsionit, Ljupço Nikollovski.
Grupi i punës që do formohet në qeveri, do të skenojë ligjet e do propozojë masa për të kufizuar edhe të drejtat e diskrecionit të funksionarëve. Paralajmëroi se në luftën kundër korrupsionit, qeveria do të marrë parasysh edhe rreth 40 propozimet e “Transparency International”.
SEDAT SELIMI
