“Peshmergat” dhe rebelët sirianë rrethojnë Kobanin

04.11.2014 15:11

Luftëtarët kurdë dhe kryengritësit e moderuar sirianë , vazhdojnë të bombardojnë pozicionet e ISIS në Kobani.......

Arritja e peshmergave ditëve të fundit ka zgjeruar  përpjekjet për të mbrojtur qytetin, pas javëve të tëra me sulme  ajrore të udhëhequra nga SHBA-ja. Vetëm gjatë dy ditëve të fundit ushtria amerikane ka kryer 5 sulme në Siri dhe 9 në Irak.

Mbërritja e luftëtarëve të pajisur me armatime të rënda ka qenë një përforcim i rëndësishëm për mbrojtësit e Kobanit. Po zhvillohen luftime të ashpra në frontin perëndimor, por luftime ka edhe në lindje dhe në jug të qytetit.

Rreth 150 luftëtarë kurdë të Irakut të pajisur me armë dhe municione kanë arritur në  Kobani .

Qyteti po kthehet në provë për të testuar aftësitë e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara,  për të ndaluar përparimin e Shtetit Islamik.  Beteja për Kobanin ka larguar vëmendjen nga territoret e  tjera të rëndësishme në Siri, ku vetëm në dy javët e fundit ISIS mori nën kontroll dy zona të gazit. Vetëm pak ditë më parë,  militantët e Shtetit Islamik ekzekutuan më shumë se 300 anëtarë të një fisi sunit në  një fshat në perëndim të Bagdadit,  për shkak se u kishin bërë rezistencë.