Maqedoni

Akuzohet për shpërdorim detyre, Vangellovski kërkon kohë për t’u mbrojtur

25.09.2020 16:35

Ish kryetari i Gjykatës Supreme, Jovo Vangelovski, u ul në bankën e të akuzuarve në Gjykatën Penale...

Ish kryetari i Gjykatës Supreme, Jovo Vangelovski, u ul në bankën e të akuzuarve në Gjykatën Penale, nën akuzat e shpërdorimit të detyrës zyrtare dhe autoritetit. Por, meqë i pandehuri kërkoi më shumë kohë për të përgatitur mbrojtjen e tij, seanca u shty për më 29 tetor. Para më shumë se dy muaj, prokuroria ngriti aktakuzë kundër ish-kreut të Gjykatës Supreme, që akuzohet se në fund të vitit 2018 mori vendime individuale për të gjithë gjykatësit e Gjykatës Supreme, duke përcaktuar shtesën prej 35% të pagës për muajin nëntor të atij viti, por duke përjashtuar nga ky vendim gjykatësen, Lidija Nedelkova. Prokuroria pohon se i akuzuari në mënyrë të vetëdijshme nuk ka marrë vendim për pagesë të shtesës prej rreth 500 euro për palën e dëmtuar.
 
Kanë kaluar një vit e 10 ditë që nga vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë që e shkarkoi Vangellovskin nga pozicioni i kryetarit të Gjykatës Supreme dhe gjykatësit, një vendim që u bë përfundimtar më 9 mars. Arsye për shkarkimin e tij ishte vendimi për heqjen e paraburgimit të biznesmenit, Sead Koçan, në pranverën e vitit 2017 kur ky u fundit ishte i dyshuar në rastin "Trust" që u hap nga PSP. Vangellovski dhe dy gjykatës të tjerë me votat e tyre "pro" e lëshuan biznesmenin nga paraburgimi dhe e lejuan atë të mbrohej i lirë, në një kohë kur ai ishte në arrati.
 
 
FITIM KRYEZIU