Maqedoni

Strugë – Ohër, migrimi ul numrin e nxënësve në klasat e para

25.09.2020 17:01

Nëpërs shkollat fillore në Strugë këtë vit janë regjistruar 43 nxënës më pak....

Në Shkollën Fillore “Vëllezërit Milladinov” në Strugë, vitin e kaluar janë regjistruar 149 nxënës, ndërsa këtë vit janë regjistruar 122.  Në fshatin Labunisht, vitin e kaluar kishte 134 nxënës, ndërsa këtë vit 114 dhe në fshatin Dollogozhdë, i cili përfshin edhe 5 shkolla rajonale, këtë vit janë regjistruar vetëm 32 fëmijë. Nga Sektori për arsim në komunën e Strugës thonë se kjo rënie e numrit të filloristëve është pasojë e migrimit. 
 
“Po, është e vërtetë që ka rënë numri i fëmijëve që janë të regjistruar në klasat e para, është diku 40 në kuadër të komunës, kjo si rezultat që gjithë tani e dimë trendin që e gjithë rinia lëvizin në Evropë, është trend ballkanik. Si rezultat i kësaj personat që ikin andej mendojnë që të vendosen andej dhe i marrin dhe familjet e tyre.”,- deklaroi udhëheqësi i Sektorit për arsim dhe shkencë – Strugë, Dashmir Nasufi.
 
Rënie të numri të filloristëve ka edhe në shkollat fillore në Ohër, por janë regjistruar vetëm 3 nxënës më pak se vitin e kaluar. 
 
“Në këtë vit shkollor në Ohër janë regjistruar 480 nxënës të klasave të para ose vetëm tre më pak se vitin e kaluar, kur kishte 483. Kemi një rënie më të madhe të nxënësve të regjistruar në shkollat e mesme. Vitin e kaluar 558 nxënës u regjistruan në shkollën e mesme, ndërsa këtë vit 508, ose 50 nxënës më pak.”,- u shpreh zëdhënësi në komunën e Ohrit, Tome Xhamtoski.
 
Në disa fshatra të Strugës ka edhe rritje të numrit të nxënësve në klasë të parë. Në fshatin Ladorisht janë regjistruar 15 nxënës më tepër se vitin e kaluar dhe në fshatin Veleshtë janë regjistruar 5 nxënës më tepër. Ndërsa në një fshat në Ohër këtë vit nuk është regjistruar asnjë nxënës në klasë të parë. 
 
ILMIJE ZHAKU