Maqedoni
Vazhdojnë arrestimet në Kosovë, Eulex-i iu bastisi zyrat, OVL-UÇK paralajmëron luftë
25.09.2020 17:50
Pas arrestimit të një dite më parë të Salih Mustafës, policia e EULEX-it arrestoi edhe kryetarin e Organizatës së Veteranëve....

Pas arrestimit të një dite më parë të Salih Mustafës, policia e EULEX-it arrestoi edhe kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati. Edhe zyrat e OVL-UÇK-së janë rrethuar dhe janë bastisur nga EULEX-i. Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Faton Klinaku, paralajmëroi se nëse shteti nuk ndërhyn, do të luftojnë njësoj si me ish Jugosllavinë.
“Nëse shteti ynë nuk merr masa ndaj këtyre krimineleve, do të na duhet të luftojmë sikurse me Jugosllavinë. Janë duke e kontrolluar të gjithë objektin. Për Gjykatën Speciale ne nuk japim përgjegjësi, sepse këta vetë janë duke i bërë këto skandale.”,- tha sekretari i OVL-UÇK-së, Faton Klinaku.
Në orët e pasdites është arrestuar edhe nënkryetari i OVL-UCK-së, Nasim Haradinaj, i cili nuk pranoi të arrestohet nga Euleksi, pasi tha se njeh vetëm policinë e Kosovës. Edhe ai paralajmëroi se do të punojnë gjithnjë kundër Speciales.
- (Nasimi) “Nuk shkoj me ta, nuk shkoj me ta, ky mundet të hipë në makinë me ju”.
- (Polici) “në rregull me neve vjen”.
- (Qytetarët) “Bravo Nasim”.
“Sa te jetojmë me frymë ne jemi kundër kësaj gjykate, kemi me punu kundër kësaj gjykate, detyrë e tyre është t’i ruajnë sekretet e veta.”,- theksoi nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj.
Tribunali Special ka nisur prej të enjten arrestimet e para për të dyshuarit për krime lufte nga radhët e UÇK-së. Arrestimet u kundërshtuan nga qytetarët të cilët mbështetën fuqishëm komandantët e tyre.
GYLTENE SINANI
