Maqedoni

Deklaratë për përmirësimin e gjendjes së mediave

04.11.2014 16:41

Organizata joqeveritare, shoqata dhe media nënshkruan deklaratën për liri të garantuar të mediave me kushtetutë dhe ligj, e iniciuar nga “Transparenc Internacional”...

Vullneti politik për lirinë e mediave, reforma legjislative, sigurimi i kushteve për konkurrencë dhe garë, puna profesionale e mediave dhe gazetarëve janë 4 parimet e përfshira në deklaratë dhe kanë për synim të garantojnë shprehjen e lirë të fjalës dhe forcimin e legjislacionit në këtë fushë.  
 
“Vetë nënshkrimi i deklaratës d.m.th. obligim për implementimin e saj të mëtutjeshëm. Të mos mbetet kjo vetëm fjalë e shprehur, të mos mbetet vetëm e shkruar në fletë, por me të vërtetë të ketë efekt në praktikë dhe të tentojmë që e gjithë ajo që është parë si problem dhe për çka bashkërisht kemi sjellë konkluzë se duhet diçka të ndryshohet, me kalimin e viteve të realizohet”- deklaroi kryetarja e 
“Transparenc Internacional”, Slagjana Taseva.
 
Kryetari i ZNM-së, Naser Selmani, shprehet se parimet e përshkruara në deklaratë nuk i tangojnë vetëm gazetarët, por edhe publikun më të gjerë. 
 
“Nëse ne arrijmë që të ndikojmë te vetëdija e qytetarëve dhe t’i bindim se çështja e lirisë së shprehjes është liri edhe e tyre e jo vetëm e gazetarëve, unë mendoj se ata pastaj do të bëjnë presion te qeveria, sepse qeveritë zakonisht reagojnë kur e ndjejnë vetën të rrezikuar nga vota e qytetarëve. Nëse ne arrijmë që t’i bindim qytetarët, ata do të veprojnë në mënyrë të domosdoshme, se përndryshe do t’i humbin votuesit”- tha Naser Selmani nga SHGM.
 
Sipas nënshkruesve, deklarata duhet të ndihmojë për të vënë presion mbi qendrat e pushtetit për rëndësinë e medias së pavarur. Ndërsa deri më tani asnjë nga zyrtarët qeveritarë nuk ka sqaruar pozicionin e tij në lidhje me këtë deklaratë.
 
SANIJE KASAMI