Maqedoni

Mësimi on-line: Shkollat ankohen, duhet internet cilësor

26.09.2020 16:44

Ende pa filluar metoda e mësimit në distancë apo online, janë shfaqur problemet e para...

Një ndër problemet është ajo se platfoma online ka nevojë për rrjet të internetit të shpejtë dhe të fortë. Por, shumica e shkollave nuk i kanë këto mundësi.
 
Këtë e dëshmon edhe fakti që derisa po xhironim parapërgaditjet në shkollën fillore “Liman Kaba” në Luboten, interneti disa herë shfaqte probleme. Mësimdhënësit thonë se me këtë problem do të ballafaqohen çdo ditë, pasi valët e internetit mund të jenë të dobëta jo vetëm në shkollë, por edhe nëpër shtëpitë e nxënësve. 
 
"Problemi kryesor është se mungon rrjeti i internetit, domethënë të gjithë klasat nuk janë të përfshira me internet, interneti plus është shumë i dobët. Juedhe sot e pate, vetë ishit prezent në momentin që u desh të bëhet regjistrimi apo incizimi i këtij evenimenti patëm edhe pengesa në internet", u shpreh arsimtari Xhezmi Abdurahmani. 
 
Disa shkolla po bëjnë përpjekje për të siguruar rrjet të forte të internetit. Në gjimnazin Sami Frashëri të Kumanovës po bëhet instalimi i rrjetit optik të internetit. Megjithatë,drejtori i këtij gjimnazi thotë se nuk ka garancë për atë se nuk do të paraqiten probleme gjatë vitit shkollor. 
 
"Nuk mund të sigurojmë. Për disa arsye, por njëra prej arsyeve është se instalimi i vjetër i kësaj shkolle të rrymës elektrike që ne gradualisht e përmirësojmë dhe e mirëmbajmë ate. Ato na kanë premtuar se internet optic është në nivel për ti kënaqur nevojat e shkollës. Megjithatë atë mbetet ta shohim dhe ne atë, pasi ta kryejmë do ta bëjmë matjen se çfarë shpejtësie ka dhe samund ti mbaje gjithë atë ngarkesë të madhe të video uploadimeve të videoleksioneve të ndryshme”, theksoi Afrim Aliti nga gjimnazi “Sami Frashëri”Kumanovë.
 
Mungesa e laptopëve apo tabletëve të nxënësve, por edhe pajisjeve teknike për arsimtarët janë probleme tjera që disa herë janë përsëritur nga mësimdhënësit, por edhe nga prindërit. 
 
ERSAN PAJAZITI