IMM: Ndotja edhe këtyre ditëve në përmasa të njëjta
Nuk ka përmirësim të theksuar të ndotjes së ajrit në vend pas mbylljes së disa reparteve të Ngrohtores “Maksil” të Shkupit.........

Edhe pse është herët të flitet për rezultate konkrete, nga Inspektorati për Mbrojtjen e Mjedisit Jetësor për TVM-2 sa i përket gjendjes aktuale rreth ndotjes së ajrit në vend thonë se ajri i ndotur vazhdon të mbizotërojë mbi nivelin e lejuar në qytetin e Shkupit, Tetovës dhe Kërçovës. Dje, në lagjen Gazi Babë të Shkupit është matur niveli i ndotjes, duke dhënë rezultatin 148 mikrogram në metër kub, në Lisiçe 216, Tetovë 181, ndërsa më pak ndotje të ajrit është regjistruar në Kërçovë me 107 mikrogram në metër kub.
“Stacionet matëse në Shkup tregojnë se ka tejkalim të nivelit të grimcave PM në ajër, që do të thotë se ndikimi i industrisë së madhe nuk është faktor kryesor për ndotjen e ajrit në vend. Sa është ndikimi i tërësishëm i “Makstilit” do të vërtetohet në të ardhmen, ku do të bëjmë edhe analiza plotësuese dhe më pas do të dalim me të dhëna konkrete”- deklaroi drejtori i Inspektoratit për Mbrojtjen e Mjedisit Jetësor, Ferus Memed.
Një ndër masat e propozuara nga ky dikaster për të ruajtur ambientin në vend janë vozitja e makinave sipas modelit “Çift, tek të numrit të targave”, ndalesa e kryerjes së veprimtarive ndërtimore gjatë periudhës dhjetor, janar dhe shkurt, si dhe blerja e drunjve me kilogram. Këto masa duhet patjetër të përdoren në rast se grimcat PM e tejkalojnë nivelin për 5 ditë me radhë.
“Momentalisht në Shkup ka mbi 50 lokacione ku zhvillohen punime ndërtimore, punojnë me makineri të rënda, kanë mikserë për shembjen e objekteve të ndryshme dhe normalisht e gjithë kjo ndikon në ndotjen e ajrit. Ne mendojmë se me këto masa të propozuara do të arrijmë të sigurojmë ambient të pastër për jetesë. Qëllimi ynë nuk është të dëmtojmë sektorin privat, por bashkërisht të kyçemi në mbrojtjen e ambientit jetësor”- tha Memed.
Ngrohtorja e Shkupit “Makstil”, para 4 ditësh ndërpreu prodhimin në repartin e çelikut, deri në instalimin e filtrave mbrojtës në oxhaqet e kompanisë, ndërsa kompania “Jugohrom” e Tetovës po ashtu përgjysmoi kapacitetin e punës, si dhe mori afat prej 2 vitesh deri në plotësimin e standardeve ekologjike. (Rexhep Qamili, TVM2)
