Izairi, kundër prolongimit të afatit për “Jugohromin”
Ministri i Ekologjisë, Nurhan Izairi, ka qenë kundër prolongimit të afatit për vendosjen e filtrave ekologjik nga Kompania “Jugohrom” dhe këtë qëndrim e ka mbajtur edhe në mbledhje të qeverisë.......

Por, siç bën të ditur vet ministri, qeveria në konsultim me ligjet ekzistuese, ka vendosur që t’i jepet edhe një mundësi kësaj kompanie. Ai, njëherit ka kërkuar nga kjo kompani që të reflektojë pozitivisht në drejtim të vendosjes së filtrave ekologjik.
“Qeveria i ka dhënë afat edhe gjashtë muaj, që të mund të punojë intensivisht për këtë, ndërkohë që brenda këtyre gjashtë muajve ministria që unë drejtoj, fuqimisht do ta përcjellë planin operativ dhe të jeni të bindur se pas gjashtë muajsh, nëse nuk ka lëvizje të dukshme rreth kësaj, qeveria do ta mbyllë”- deklaroi ministri i Ekologjisë, Nurhan Izairi.
Izairi komentoi edhe paralajmërimet për protesta të organizatave të ndryshme kundër ndotjes së ajrit në Tetovë dhe tha se edhe është përkrahës i atyre që shprehin shqetësimin për ndotjen e ajrit në këtë qytet, por paraprakisht duhet debatuar se sa çdonjëri prej nesh merr pjesë në ndotjen e ambientit.
“Do të përkrahim çdo iniciativë, por duhet të bisedojmë, duhet të flasim edhe ju sa jeni pjesëmarrës në ndotjen e ambientit, ne duhet të flasim haptas, sepse 60 vjet nuk është bërë asgjë dhe tani duhet të mbyllet një gjigant dhe si ndotës potencial 70 % që ka ndotur ambientin, është reduktuar”- tha Izairi.
Ministri Izairi, për muajin e ardhshëm ka paralajmëruar analiza pas mbylljes së dy furrave të “Jugohromit”, me të cilat do të saktësohet se cilat janë elementët ndotës të ajrit dhe sa është përqindja e tyre. (Flutura Latifi, TVM2)
