Botë
Ukrainë: Ditë zie pas rrëzimit të aeroplanit ushtarak
26.09.2020 18:51
Ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë kërkimet në zonën ku rrëzua një aeroplan ushtarak i Ukrainës...

Autoritetet njoftuan se janë gjetur edhe dy trupa të pajetë, duke çuar në 26 numrin e viktimave nga rrëzimi i avionit, ndërkaq një person ka shpëtuar.
Aeroplani, i tipit Antonov-26, që i përkiste Forcave Ajrore ukrainase, kishte në bord 20 kadetë të shkollës ushtarake të aviacionit dhe shtatë pjesëtarë të ekuipazhit.
Avioni u rrëzua dhe më pas u mbërthye nga flakët mbrëmjen e 25 shtatorit, teksa po aterronte në aeroportin në Chuhuyiv, që gjendet rreth 400 kilometra në lindje të kryeqytetit ukrainas, Kiev.
Ende nuk dihen shkaqet e rrëzimit të aeroplanit. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy ka shpallur 26 shtatorin ditë zie, për të nderuar viktimat e këtij aksidenti.
