Auv: Limonët në Maqedoni nuk janë helmues

04.11.2014 17:22

Limoni që shitet në tregun e Maqedonisë është i sigurt, bëjnë të ditur nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari.........

Sqarimi i kësaj agjencie vjen pas spekulimeve në media se limoni i importuar nga Turqia është i dëmshëm për shëndetin. Agjencia për Ushqim dhe Veterinari nuk ka marrë njoftim nëpërmjet sistemit për paralajmërim të shpejtë për ushqim të Bashkimit Evropian se është importuar limon i pasigurt nga Republika e Turqisë, thonë nga kjo agjenci.

Shërbimet e inspektimit për ushqim dhe veterinari në kontinuitet kryejnë kontrolle të importit të limonit nga Turqia, me marrjen e mostrave dhe kryerjen e analizave laboratorike. Deri tani, me asnjë rezultat nga mostrat e analizuara të frutave, përfshirë edhe limonin e importuar në vend nga Republika e Turqisë, nuk janë konstatuar lëshime në sferën e kritereve për import të frutave agrume.

Po ashtu, nga agjencia thonë se pas dyshimeve të publikuara në media, do të përforcohen kontrollet si gjatë importit ashtu edhe në tregun vendor. Nga fillimi i vitit, përfundimisht me muajin shtator, në tregun vendor janë importuar rreth 5 mijë ton limonë me prejardhje nga Greqia, Spanja dhe Italia. Nga Turqia janë importuar rreth 3 mijë ton.

Njoftimet për limonë me përmbajtje helmuese në tregun e vendit vijnë pikërisht në sezonin kur limoni është më shumë i përdorur nga ana e qytetarëve. Shitësit në tregun e Çairit në Shkup thonë se kjo nuk ka ndikuar shumë te blerësit.   

“Gjithçka në rregull është duke shkuar, sidomos te unë. Ndryshon vetëm në qoftë se për shembull bëhen thashetheme, po ajo është kaluese, është një javë, nuk mundet më shumë, se nuk mundet të qëndrojë gënjeshtra me të vërtetën. E vërteta është krejt ndryshe”- u shpreh një shitës.    

“Nuk e di, e dëgjoj këtë nga blerësit, thonë diçka si substancë apo nuk di çka”- tha një shitës.

Ndërsa qytetarët thonë se edhe përkundër njoftimeve të tilla në media, vazhdojnë të blejnë limonë. Disa madje as që kanë dëgjuar për njoftimet e tilla. Ndërsa nuk u ka bërë shumë përshtypje as ulja e përnjëhershme e çmimit të limonit.

“Dëgjoj në televizion se limoni turk qenka helmues. Unë e pi, unë edhe në mëngjes edhe në mbrëmje pi limonadë. Për mua nuk është helmues”- theksoi një qytetar.                    

“S’kam dëgjuar unë për këtë gjë. Sigurisht që blejmë më shumë, nëse para asaj kohe limoni ishte 20 denarë, tash e merr me 8 denarë, 10 denarë edhe ftoftë tani dhe gripa shumë, limoni tani të ndihmon”- tha një qytetare.

“Është pak për t’u çuditur ulja e çmimit, por nuk më ka interesuar me thënë të drejtën se pse ka ndodhur kjo gjë”- potencoi një qytetare. 

Për shkak të sezonit të dobët në Argjentinë, si një ndër vendet më eksportuese të limonit, kohë më parë çmimi i limonit u rrit shumë.

Në shtator limoni në Maqedoni shitej për 160 deri në 180 denarë për kilogram, ndërsa në vendet fqinje, si në Bullgari dhe Serbi, çmimi për kilogram arrinte deri në 4 euro. Aktualisht limoni në Maqedoni shitet me çmim prej 50 deri në 60 denarë. (Gyltene Sinani, TVM2)