Maqedoni
Emrimet, Mehmeti: T’u jepet shanci për obligimet që kanë marrë, ministrat kanë nevojë për ekipim të mirë
27.09.2020 16:37
Poste politike, apo profesionistë në vendin e duhur, si duhet të shikohen emrimet...

Poste politike, apo profesionistë në vendin e duhur, si duhet të shikohen emrimet e reja në ministritë dhe institucioneve shtetërore. Emrimi I tyre nuk duhet gjykuar që në start, por duhet vëzhguar puna e tyre, vlerëson analisti politik Ibrahim Mehmeti.
Sipas tij edhe pse disa njerëz nuk janë ekspertë për më shumë lëmi, pasi nga një pozicion, pas një mandati lëvizin në institucion tjetër, atyre duhet t’u jepet shanc për obligimet që kanë marrë.
“Ka disa resorë të cilat vërtetë duhet ekspertizë siç janë ekonomia financat e kështu me rradhë, por ka edhe poste politike, bile janë edhe të dëshiruara sikur që janë ministria e brendshme dhe mbrojtja. Këtu insistohet të ketë njerëz që nuk janë profesionistë. Kështu që nuk mund të thuhet anbllok se këta njerëz janë të emëruar gabimisht ose janë njerëzit më të mirë. Kuptohet gjithmonë ka hapësirë për diskutim. Duhet të përcillet në vazhdimësi puna e ministrave të emëruar dhe posteve të tjera, drejtorëve dhe atëherë mund të flasim konkretisht”, u shpreh analisti politik Ibrahim Mehmeti.
Sipas Mehmetit rezultati në veçanti i punës së ministrave do të varej edhe nga ekipimi i njerëzve përreth tyre, sidomos tani kur vendi parapërgatitet për nisjen e bisedimeve me BE - në.
“Nëse presim nga ministrat që ta mbajnë mbi shpinë ose mbi intelektin e tyre procesin e eurointegrimeve atëherë mendoj se do të kemi problem shumë serioz. Shpresoj se do të gjejnë fuqi politike që ta zgjerojnë rrethin dhe të kyçin njerëz që me të vërtetë dijnë ta udhëheqin këtë proces, dijnë të përgjigjen ndaj kërkesave të cilat do të parashtrohen nga BE dhe se këtu do të kemi një lëvizje. Këtu do të jetë fokusi I monitorimit të punës së qeverisë”, theksoi Mehmeti.
Pas emrimit të ministrave dhe zëvendësve të tyre, u ekipua kabineti I kryeministrit Zoran Zaev. Vijon emrimi i udhëheqësve të institucioneve më me relevancë në vend.
MERAL ISMAILI
