Maqedoni

Ndihmoni në 072 764 810: Jetimët e dy jetimëve, përfundojnë në rrugë

27.09.2020 18:20

Nurtene Ismaili është një nënë vetëushqyese, të cilës bashkëshorti i vdiq pesë vite më parë...

Ajo është rritur edhe vetë jetime, nuk ka  madje as vëlla e as motër. Jeta e saj i ngjan romaneve të dhimbshme, u rrit pa prindër te daja në Kosovë, e martuan me Eminin, një jetim nga Shkupi.
 
Të dy jetimët filluan jetën e tyre bashkëshortore pa asnjë pasuri, të lumtur që kishin gjetur njëri tjetrin për të qarë hallet e njejta. Por jeta pa shtëpi nuk është e lehtë. Familja me vite ka jetuar në tenda, ose duke u endur nga një shtëpi në tjetrën. 
 
Pas vdekjes së bashkëshortit, Nurneti po shikon se si historia po i përsëritet. Ajo duhet të rrisë fëmijët pa baba, pa punë, pa ndihmë sociale madje.
 
“Kam pasur një jetë shumë të vështirë, si jetime. Tash nuk dua që edhe fëmijët t’i përjetojnë ato që kam përjetuar unë”, u shpreh nëna e dy jetimëve Nurtene Ismaili.
 
E për jetimet edhe për fëmijët e saj, duket se do të jenë të rënda. Nurteni nuk arrin t’i ngopë me bukë, dimri po vjen e nuk ka as rroba për ta. Të dy fëmijët, Liridoni 16 vjecar dhe Hajrija 13 vjecare, thuajse cdo javë alivanosen nga mos ushqyerja. Asnjëri nga tyre nuk gëzon shëndet të plotë, as Nurteni për TVM 2.
 
“Liridoni u sëmur dhe ishte në spital, i thanë të bëjë nje incizim në kokë. Vajza ishte shume mirë por kohën e fundit edhe ajo nuk është mirë me shëndet, cdo jave i bie të fikët. Ra te dera dhe buzët ju nxinë. Shkova me taksi në spital, s’kisha para as taksinë ta paguaj. Por na dergoi falas, sepse i treguam gjendjen”, theksoi Ismaili.
 
Nurteni nuk di shkrim dhe lexim sepse daja nuk e ka dërguar në shkollë dhe që kur ishte 4 vjeç, i është dashur të kujdeset për nënën e sëmurë pasi babi i vdiq kur ishte foshnje.
 
U kujdes derisa edhe nëna i ndërroi jetë.  Ajo  kërkon nga ne t’i ndihmojmë të sigurojë një kulm mbi kokë, sepse jeta duke u endur rrugëve, është bërë e padurueshme. 
 
FARIJE DAUTI BAKIU