Maqedoni
Platforma “ra” që në testimin e parë, mësuesit: Kemi gjithë kohës probleme në rrjet. MASh: Po detektojmë problemet, testimi do të vazhdojë. Qytetarët: Nuk mësohet online pa kompjuter në shtëpi
28.09.2020 17:00
Fillimi i vitit shkollor është planifikuar të enjten. Nxënësit e shkollave fillore morën fjalëkalimet për kyçje...

Fillimi i vitit shkollor është planifikuar të enjten. Nxënësit e shkollave fillore morën fjalëkalimet për kyçje Platformën e re Kombëtare të Mësimit në Distancë. Por, prova për shumë prej tyre ishte e vështirë e në sistem nuk u lidhën dot në kohën e duhur. Mësuesit ankohen për problem në rrjet.
“Jemi duke pasur problem me çështjen e wi-fi-së, internetit, nga shkaku që nuk kemi mundur sa duhet t’i kryejmë obligimet, ose të mësojmë diçka të re, nga fakti që tërë kohën ka pasur ç’kyçje të rrjetit dhe besoj që ditëve në vazhdim ka me pas përmirësim, sepse ne kështu nuk mund të mbajmë një orë 30 minutëshe me nxënësit.”,- tha arsimtarja, Luljeta Iseni.
Nga Ministria e Arsimit thonë se bëhet fjalë vetëm për probleme momentale me lidhjen në platformë.
“Testimi është pjesë e procedurës për arritjen e funksionimit të tërësishëm të platformës, edhe në fazën testuese detektohen dhe tejkalohen të gjitha sfidat. Me qëllim që të sigurojmë platformë krejtësisht funksionale deri në fillimin e vitit shkollor, testimet do të vazhdojnë edhe ditët e ardhshme.”,- thuhet nga MASh.
Për t’ju siguruar fëmijëve qasje në platformën nacionale, duhet lidhje në internet, kompjuter apo laptop, që të jetë së paku procesor I-3 i gjeneratës së shtatë, të paktën 1.6 GHz ose procesor ekuivalent AMD, minimumi 4 GB RAM, Disk me një minimum prej 128 GB SSD, sistemi duhet të jetë Uindous 8.1 ose Uindous 10, pajisja duhet të ketë një kamera USB 2.0, ose një kamerë standarde për laptop dhe altoparlantë dhe mikrofon.
Ky sqarim teknik, në para do të thotë një kompjuter prej minimum 15 mijë denarësh, për një fëmijë. Nëse keni më shumë, kjo shumë duhet shumëzuar me numrin e fëmijëve. Padyshim që harxhimet shtesë kanë hasur në reagimin e prindërve shumica e të cilëve kanë shumë fëmijë dhe kompjuterët, laptopët apo telefonat smart që kanë në shtëpi, ose nuk mjaftojnë për të gjithë, ose nuk janë sipas parametrave të kërkuara.
“Normal që do ketë probleme, për shkak se ka fëmijë që nuk kanë kompjuter, nuk kanë ku të mësojnë. Më mirë është me qenë prezent në shkollë.”,- tha një qytetar.
“Ka që nuk kanë. Më mirë me prezencë fizike. Mendimi im është se më tepër marrin dituri.”,- u shpreh një qytetar.
“Shumica nuk kanë kompjutera, interneta, nuk kanë mundësi të blejnë”,- theksoi një qytetar.
Për fëmijët të cilët nuk do të mund ta ndjekin mësimin online për shkak të mungesës së internetit apo kompjuterëve, do të kujdeset servisi publik. Çdo ditë shkolle prej orës dhjetë, TVM2 do të emetojë përmbajtjen e orëve mësimore të përzgjedhura nga MASh dhe Byroja për Zhvillim të Arsimit. Projekti zhvillohet në bashkëpunim me UNICEF.
ERSAN PAJAZITI
