Maqedoni

Regjistrimi i fëmijëve në çerdhe, nënat: Duan vërtetim, lamë punën ku ta gjejmë. Shahpaska: Ka vende të lira, nënat të kthehen në punë

28.09.2020 17:25

Çerdhet janë hapur, por kapaciteti i tyre akoma nuk është përmbushur...

Edhe pse zyrtarisht në çerdhe janë regjistruar shumë fëmijë, jo të gjithë frekuentojnë grupet, përfshirë këtu edhe fëmijët e prindërve që më herët shfrytëzuan masat e Qeverisë. Shumë prindër të tjerë ankohen se janë detyruar të largohen nga puna gjatë pandemisë, e tani nuk i regjistrojnë dot fëmijët në çerdhe.
 
“Në një kohë kur duhet të kërkojmë punë, të shkojmë në punë, nëpër çerdhe s’ka vende të lira për fëmijët tanë. Kërkojnë vërtetim prej nesh dhe ne nuk kemi ku ta gjejmë, sepse jemi pushuar nga puna.”,- tha nëna e cila ka dhënë dorëheqje.
 
Deri më sot janë dhënë mbi 12.000 vërtetime për fëmijë të regjistruar nëpër çerdhe me qëllim të lirimit nga puna të njërit prej prindërve. Qeveria mbetet në qëndrimin se të gjitha nënat duhet të kthehen në punë, pasi me hapjen e çerdheve nuk ka bazë kërkesa që pushimi i lindjes të vazhdojë. 
 
“Me hapjen e çerdheve përfundon nevoja e të qëndruarit në shtëpi për momentin kur ka se kush kujdeset për fëmijët. Dhe kur e themi këtë, e themi se janë siguruar gjitha parakushtet për përkujdesje të sigurt, në pajtim me protokollet.”,- theksoi ministrja e punës dhe politikës sociale, Jagoda Shahpaska.
 
Shahpanska ishte e prerë se fëmijët duhet të vinë në çerdhe, pasi vende të lira ka. U apeloi prindërve që kanë vendosur t’i mbajnë fëmijët në shtëpi, të lirojnë vendet për ata që kanë vërtetë nevojë që dikush të përkujdeset për fëmijët.
 
Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale njoftojnë se kanë dorëzuar letër nëpër çerdhe që t’i kontaktojnë prindërit, nëse nuk e dërgojnë fëmijën në çerdhe, do të pranohet personi i radhës në listë që është me prioritet. Kjo procedurë është në fazën përfundimtare. Përparësi kanë prindërit vetushqyes dhe prindërit të cilët janë të dy të punësuar. 
 
Autoritetet sigurojnë se fëmijët në çerdhe janë të siguri. Megjithatë në një çerdhe në Manastir sërish u paraqit një edukatore pozitive ndaj Covid-19 që detyroi izolimin edhe të 13 fëmijëve të grupit të saj. Edhe 4 fëmijë që frekuentonin çerdhet në Shkup janë infektuar nga prindërit. 
 
FARIJE DAUTI BAKIJU