Maqedoni

Osmani në takime në Bruksel: Optimist dhe i inkurajuar për fillimin e negociatave

28.09.2020 17:36

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka nisur vizitën e tij të parë në Bruksel...

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka nisur vizitën e tij të parë në Bruksel ku ka takuar eurodeputetë dhe përfaqësues të grupeve politike.
 
Në takimet me ta dhe zyrtarë të tjerë të lartë të BE-së, Osmani ka rikonfirmuar angazhimet e Maqedonisë së Veriut në procesin eurointegrues, teksa ka prezantuar prioritetet gjatë mandatit të tij. 
 
Sipas njoftimit të kabinetit të ministrit Osmani, Maqedonia e Veriut do ta përmbush qëllimin e saj strategjik këtë vit.
 
“Pres miratimin në kohë të Kornizës Negociuese, duke i respektuar parimet e Metodologjisë së re në procesin e negociatave. Na pret një klimë pozitive në të ardhmen, shumë punë, por edhe motiv për të ofruar rezultate nga reformat në vend. Fokusi im është në thellimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, jo vetëm si përfitim i ynë autentik, por edhe si kontribut aktiv në bashkëpunimin rajonal, si politikë kyçe për ruajtjen e idesë evropiane në Ballkan”,- ka deklaruar Osmani.
 
Parlamenti Evropian është zotuar të ndihmojë Maqedoninë e Veriut të fillojë negociatat deri në fund të këtij viti. Ata gjithashtu kanë theksuar se vendi duhet të vazhdojë me reformat.
 
NAIM RAMADANI