Maqedoni

Pakoja e katërt ekonomike, LSDM: 470 mln euro, tek qytetarët dhe biznesi. VMRO: Asgjë për qytetarët, veç për mafia-n

28.09.2020 18:39

LSDM dhe VMRO-DPMNE, me vlerësime të kundërta për pakon e katërt të masave ekonomike të Qeverisë...

LSDM dhe VMRO-DPMNE, me vlerësime të kundërta për pakon  e katërt të masave ekonomike të Qeverisë, në ndihmë të qytetarëve dhe biznesit për t’u përball me pasojat e epidemisë. Sipas LSDM-së, pakoja prej 470 milionë euro dëshmon se Qeveria vazhdon të tregojë kujdes të posaçëm për ekonominë vendore dhe qytetarët.
 
“Pason realizimi i pakos së katërt të masave për t’u përballur me pasojat e krizës nga Korona. 470 milionë euro, para nga Buxheti si ndihmë e drejtpërdrejtë do të përfundojnë tek qytetarët dhe kompanitë. Një nga komponentët themelor të pakos së katërt është përforcimi i shpenzimeve private të qytetarit.”,- tha deputetja e LSDM-së, Sanja Llukarevska.
 
Nga pakoja e katërt, ndër të tjera, do të përfitojnë pensionistët, të papunët, studentët dhe prindërit e vetëm. Mirëpo, VMRO-DPMNE konsideron se pakoja e katërt vjen si pasojë e mosrealizimit të pakos së tretë, e cila u realizua vetëm 13%. Rrjedhimisht, nuk beson as në zbatimin e plotë dhe të drejtë të pakos së re. 
 
“Pakoja e tretë e masave parazgjedhore në vlerë prej 355 milionë euro përfundoi me realizim të 47 milionë eurove, përkatësisht 13% realizim, dhe atë për korruptim parazgjedhor të popullatës. Ngeci përkrahja e firmave për punëtorët, dhe pikërisht pakoja e katërt është dëshmi se kjo nuk ndodhi me pakon e tretë të masave.”,- theksoi  Gordana Dimitrieska – Koçoska nga  VMRO-DPMNE.
 
VMRO-DPMNE konsideron se as kjo pako e masave ekonomike  nuk do të ndihmojë ekonominë por, siç thonë, paratë do të përfundojnë te mafia. Ashtu siç ndodhi pas pakos së tretë edhe pas pakos së katërt do të ketë fatura më të larta për qytetarët, konsideron VMRO në opozitë.
 
SHPËTIM NUREDINI