Maqedoni
Rasti "Dhuna në Qendër", mbrojtja e Janakievskit kërkoi lirimin e tij
28.09.2020 18:54
Në fjalët përfundimtare për rastin "Dhuna në Qendër", avokatët mbrojtës kërkuan shpalljen...

Në fjalët përfundimtare për rastin "Dhuna në Qendër", avokatët mbrojtës kërkuan shpalljen të pafajshëm të ish ministrit, Mile Janakievski.
Mbrojtja kontestoi edhe përdorimin e të ashtuquajturave “bombat” si dëshmi, të cilat sipas tyre janë të dorëzuara si kopje dhe jo origjinal. Mbrojtja kishte vërejtje edhe në pjesën e akuzës, ku thuhet se Janakievski ka qenë person i besuar i Nikolla Gruevskit. Sipas avokatit, Elenko Millanov, bashkëpunëtorët e besueshëm nuk përgjohen.
“Nëse dikush mua më beson dhe jam personi më i afërt i tij dhe më me besim, sigurisht se nuk do të më kontrollonin përmes incizimeve të bisedave. Kjo atje thuhet se shkon përmes DSK-së, por nuk është vërtetuar dhe dëshmuar.”,- tha avokati mbrojtës, Elenko Millanov.
Vetë i akuzuari, Janakievski, në fjalët e tij përfundimtare tha se krijimi i aktakuzës së re, me element të reja kundër tij, nuk duhet të pranohen nga gjykata.
"Në rrethana të tilla, parashtrohet pyetja se para kujt dhe si të dëshmoj unë në këtë procedurë se kam qenë ose jo i afërt me Gruevskin. Prej rreth 80 mijë bisedave, Prokuroria nuk ka asnjë bisedë ku thuhet se unë të kem bërë ndonjë veprim. Gjykohem për “shuplakat” që asnjëherë nuk ndodhën.",- tha Janakievski.
Janakievski thotë se nuk mund të jetë ai qengji i kurbanit në një kohë kur të tjerët ose u liruan ose u arratisën. Kundër Janakievskit, procedohen 8 procedura penale. Gjykimi për këtë rast ka filluar para rreth 4 viteve.
Dy të akuzuar kanë pranuar fajin. Kundër Daniella Rangellovës dhe dy personave të tjerë akuza është tërhequr, ndërsa ish kryeministri Gruevski është në arrati.
FLORIJE BELULI KAMBERI
