Dyshimet për krime lufte, Mustafa dëshmoi para Dhomës së Specializuar
Nën dyshimin për kryerjen e krimeve të luftës gjatë vitit 1999 në fshatin Zllash....

Nën dyshimin për kryerjen e krimeve të luftës gjatë vitit 1999 në fshatin Zllash, ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, për herë të parë u paraqit para Dhomave të Specializuara. Por, nuk deshi të deklarohet rreth dyshimeve të ngritura në aktakuzën e ngritur kundër tij.
“Nuk do të deklarohem sot, do të konsultohem me avokatin.”,- tha i akuzuari, Salih Mustafa.
Avokati i tij u ankua se Mustafa nuk e kishte parë aktakuzën dhe se ai e ka informuar vetëm për versionin e redaktuar ku janë të fshehura disa informacione.
“Klienti im ka marrë vetëm versionin e redaktuar të aktakuzës. Nuk e di pse janë redaktuar apo kush është përmendur në versionin e redaktuar. Të gjitha këto janë gjëra të reja për klientin tim, do të i duhet një farë kohe për t’i analizuar.”,- ka thënë avokati mbrojtës.
Edhe ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çeku, është paraqitur para prokurorit të Gjykatës Speciale në Hagë në cilësinë e të dyshuarit. Asnjë detaj nuk jepet as nga ai intervistim.
Projektligji për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së, dështon përpjekja për ta votuar në Kuvend
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të votojë në parim Projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të iniciuar nga PDK. Ky Projektligj mori votat e vetëm 35 deputetëve. Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës u përmbajtën nga votimi. (Gyltene Sinani, TVM2)
