Maqedoni

SHASH “Naim Frashëri” Kumanovë-Likovë, bojkot nëse nuk mësohet me prezencë fizike

28.09.2020 19:22

Të enjten mësimi duhet të fillojë në të gjitha shkollat e vendit, me prani fizike deri në klasën e tretë...

Të enjten mësimi duhet të fillojë në të gjitha shkollat e vendit, me prani fizike deri në klasën e tretë dhe aty ku ka kushte, dhe online për gjithë të tjerët.
 
Por, Shoqata e Arsimtarëve Shqiptar “Naim Frashëri”  Kumanovë – Likovë, është decide për mësim me prezencë fizike dhe janë  kategorikisht kundër mësimit online, nga arsyeja e vetme sepse nuk ekzistojnë as kushtet elementare për një gjë të këtillë. 
 
“Çdo shkollë nuk i plotëson kushtet për mësim online, së pari rrjeti i internetit nuk funksionon, pastaj jo vetëm mësimdhënësit që nuk kanë pajisje elektronike, por as edhe nxënësit. Kemi prindër që kanë 5 fëmijë në shkollë, si mundet ai tani t’i blejë 5 lap-top, e 5 dhoma në shtëpi i duhen, njëjtë vlen edhe për ne arsimtarët, na duhen për secilin veç e veç nga një klasë. Mbi 98% e prindërve në Kumanovë dhe Likovë janë për zhvillim të mësimit me prezencë fizike.”,- tha Samet Jahiu nga ShASh “Naim Frashëri”  Kumanovë – Likovë.
 
Ata  paralajmëruan se nëse nuk pranohen kërkesat e tyre, do të bojkotojnë mësimin.
 
“Përsëri do të konsultohemi me drejtoritë e shkollave si dhe këshillat e prindërve, pasi ata janë faktori kryesor, me lejen e tyre ne do ta bojkotojmë procesin mësimor, pasi nuk ka kushte për mësim online, e deri sa të krijohen kushtet do të vazhdojmë bojkotin.”,- u shpreh Samet Jahiu nga ShASh “Naim Frashëri”  Kumanovë – Likovë.
 
Derisa në qytet gjendja sa i përket rrjetit të internetit duket të jetë më e mirë, në vendbanimet rurale mësimi online është pothuajse i pamundur jo vetëm për shkak të rrjetit të internetit, por edhe se shumica e nxënësve, por edhe arsimtarëve, nuk posedojnë pajisje elektronike për mësim online.
 
FATLUM AQIFI