Botë
Shqipëri, 4 viktima dhe 127 të infektuar nga Covid-19. Kosovë, 72 të shëruar dhe 54 raste me Covid-19
29.09.2020 19:00
Katër viktima dhe 127 raste të reja janë regjistruar në 24 orët e fundit në Shqipëri...

Katër viktima dhe 127 raste të reja janë regjistruar në 24 orët e fundit në Shqipëri, ndërkohë lajm i mirë është se në 24 orë janë shëruar nga virusi i rëndë 103 të infektuar, duke e çuar numrin e të shëruarve në 7732 që na fillimi i pandemisë.
“Aktualisht në Spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 190 pacientë, 16 janë në terapi intensive, nga të cilët 5 pacientë janë të intubuar. Ju informojmë se në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e mjekëve, e kanë humbur betejën me COVID-19 një 65 vjeçar nga Vlora, dhe tre qytetarë nga Tirana, një 59 vjeçar, një 75 vjeçar dhe një 76 vjeçar me sëmundje bashkëshoqëruese.”,- deklaroi Mirela Cami nga Instituti i Shëndetit Publik.
Kosova nuk ka regjistruar asnjë viktimë nga COVID-19 në 24 orët e fundit. Vendi fqinj po shkon drejt një bilanci pozitiv sa i përket pandemisë. Ndërkohë së fundmi ka pasur një rritje të lehtë të rasteve, pasi 54 të infektuar me koronavirus dolën nga 670 testime.
Po ashtu 72 pacientë fituan përfundimisht betejën me COVID-19, numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani është gjithsej 13.492 raste, kurse numri i rasteve aktive është 1.457.
Nga vendet e rajonit kryeson Greqia me numër më të madh të të infektuarve, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 268 raste të reja nga COVID-19 dhe 4 viktima.
Kjo shënon një rritje krahasuar me një ditë më parë, por përsëri shumica e rasteve vijnë nga Athina. Në nivel botëror numri i të infektuarve ka arritur në mbi 33 milion e 423 mijë persona, prej të cilëve mbi 23 milion e 197 persona janë shëruar ndërsa mbi një milion e 3 mijë persona kanë vdekur.
FARIJE DAUTI BAKIJU
