Debati i parë televiziv Biden-Trump, ndërprerje të fjalës dhe përplasje verbale
Kandidati demokrat për president të SHBA-ve, Joe Biden dhe presidenti, Donald Trump....

Kandidati demokrat për president të SHBA-ve, Joe Biden dhe presidenti, Donald Trump, kanë zhvilluar një debat të ashpër televiziv, me ndërprerje të fjalës dhe përplasje verbale.
Ata debatuan për pandeminë e koronavirusit, nominimin e një gjykatëse të re të Gjykatës Supreme, rendin dhe ligjin si dhe marrëdhëniet racore. Në një moment Biden e quajti Trumpin një "gënjeshtar, një palaço", pastaj "këlysh i Putinit".
Trump, nga ana e tij tha se "e majta radikale" e ka Bidenin të "mbërthyer përreth gishtave" ndrsa djali i tij Hunter, kishte përfituar në mënyrë të papërshtatshme gjatë punës në Ukrainë, duke shfrytëzuar lidhjet e babait.
Debati i ashpër bëri që edhe moderatori, Chris Wallace, nga Fox News, të shfaqet i acaruar disa herë. Ai ishte veçanërisht i irrituar me presidentin Trump, duke iu lutur që të mos ndërpresë dhe duke i kujtuar atij se ekipi i fushatës kishte rënë dakord me rregullat e debatit. Të dy kandidatët nuk i shtrenguan dorën njëri-tjetrit në fillim të debatit, pasi ky akt tradicional u hoq nga plani për shkak të pandemisë.
Biden e sulmoi Trumpin lidhur me trajtimin e pandemisë së koronavirusit, duke thënë se presidenti "priti e priti" për të vepruar dhe se ai "ende nuk ka një plan". Trump përsëri sinjalizoi gjatë debatit se ai mund të mos pranonte një humbje në zgjedhje dhe kritikoi votimet e hershme dhe fletëvotimet me postë.
Në të kaluarën kjo mënyrë e votimit është praktikuar në ShBA pa probleme serioze. Por Trump këmbëngul se ato janë të ndjeshme ndaj mashtrimeve. Biden u bëri thirrje votuesve të votojnë "sido që të jetë mënyra më e mirë për ta", duke thënë se Trump "nuk do të jetë në gjendje t'ju ndalojë të përcaktoni rezultatin e këtyre zgjedhjeve".
Toni i ashpër gjatë debatit të parë, menjëherë ngriti pikëpyetje nëse dy debatet tjera midis Biden dhe Trump do të zhvillohen edhe ashtu siç është planifikuar.
Debati tjetër në kuadër të fushatës është midis kandidatëve për nënpresident Mike Pence dhe Kamala Harris të cilët do të debatojnë më 7 tetor.
