Lufta në Kaukaz, Azerbajxhani dhe Armenia refuzojnë të ulen në tavolinë
Komuniteti ndërkombëtar nuk po arrin të ulë në tavolinë të përbashkët...

Komuniteti ndërkombëtar nuk po arrin të ulë në tavolinë të përbashkët dy liderët e Armenisë dhe Azerbajxhanit, që prej ditësh po përballen ushtarakisht për zonën e Nagorno Karakh.
Presidenti azerbajxhanas, Ilham Aliyev, duke folur për televizionin shtetëror rus ka përjashtuar çdo mundësi bisedimesh midis Bakusë dhe Jerevanit. Kjo ishte e vetmja pikë ku edhe kryeministri armen, Nikol Pashinyan, ishte dakord me liderin kundërshtar.
Ndërkohë, shtohen orë pas ore humbjet civile që i shtohen atyre ushtarake. Sipas burimeve, viktimat e pakonfirmuara mund të kenë kaluar qindra persona.
Mbledhja e djeshme, e Këshillit të Sigurisë së OKB-së, shprehu shqetësimin e fuqive të mëdha për situatën, që mund të ketë efekt domino në të gjithë Kaukazin, transmeton A2news.
Një hipotezë tejet e rrezikshme në një zonë me dhjetëra konflikte të heshtura dhe që ndizet edhe më shumë nga lajmi i përhapur nga autoritetet armene, që dje deklaruan se një avion Su-26 i tyre u rrëzua nga një F-16 turk që po kalonte në hapësirën armene, duke shkaktuar vdekjen e pilotit.
