Çerdhet janë të zbrazëta, fëmijë të regjistruar por jo prezentë fizikisht

30.09.2020 14:37

Çerdhet edhe pas rihapjes së tyre janë duke punuar...

Çerdhet edhe pas rihapjes së tyre janë duke punuar me më pak fëmijë sesa ka realisht të regjistruar.

Shumë prindër që shfrytëzuan masat qeveritare deri pak kohë më parë, kanë vendosur që megjithatë t’i mbajnë fëmijët në shtëpi edhe përkundër vendeve që paguajnë në çerdhe. Mbi 12 000 vërtetime janë dhënë për prindërit e fëmijëve në kohën kur masat ishin valide, por tani, edhe pse regjistrat janë plot, 50 deri në 70 për qind e çerdheve janë të zbrazëta.

“Prindërit kanë informuar se fëmijët do të vijnë në çerdhe nga 1 tetori, numri më i madh i tyre në nëntor e dhjetor, disa edhe në mars. Tani ne do të kemi parasysh vetëm fëmijët të cilët janë paraqitur deri në fund të shtatorit, më së voni në tetor.”,- deklaroi drejtoresha e Çerdhes “Dreri”-Shkup.

Nëse një fëmijë nuk shkon në çerdhe, prindërit do të informohen se vendi i tij do të zëvendësohet me tjetrin i cili është në listë.

Disa nga prindërit janë të revoltuar se janë detyruar të paguajnë për muajt kur fëmijët e tyre nuk kanë qenë në çerdhe shkaku i pandemisë dhe kërkojnë që sipas shembullit të disa komunave borxhi i mbetur t’ju shlyhet nga buxheti lokal. (Leunora Kaliqi, TVM2)