Maqedoni

Nisja e vitit shkollor, Fetai: Platforma funksionale me server adekuat

30.09.2020 16:01

Midis optimizmit dhe pesimizmit të thellë po zhvillohet beteja rreth nisjes së vitit shkollor....

Midis optimizmit dhe pesimizmit të thellë po zhvillohet beteja rreth nisjes së vitit shkollor. Ministria e Arsimit e bindur se mësimi do të nis, por me përplot sfida, varësisht situatës epidemiologjike. Bllokimi i platformës, sipas ekspertëve të IT-së, është problem teknik dhe i njëjti mund të tejkalohet shpejt nëse sigurohet server adekuat. Përgjegjësit e arsimit të komunave kërkojnë koordinatorë të rrjetit të informatikës.
 
“Mungojnë serverë të dedikuar të cilët duhet të blihen dhe problemi është financiar dhe në momentin kur vendoset platforma në server të dedikuar në ministri, kjo është çështje teknike që shpejtë do të mënjanohet.”,- tha eksperti i IT-së, Bekim Fetai.
 
Qazimi: Financimi ndaj shkollave të vazhdojë 
 
“Të mundësohet që një çdo shkollë të ketë koordinator të rrjetit të informatikës, të kemi dy apo tre koordinatorë dhe kjo të mbulohet nga ana e Ministrisë për Financa, të kemi leje për punësime të reja, me ç’rast do të kemi edhe shkolla më të përgatitura.”,- theksoi përgjegjësi i arsimit – Tetovë, Ahmet Qazimi.
 
Çiçe: Shumë probleme, arsimtarët e diskriminuar 
 
SASHK ankohet për diskriminim të arsimtarëve si për ligjërimet online, por edhe me prezencë fizike duke respektuar protokollet. 
 
“Arsimtari duhet të sjellë laptopin nga shtëpia nëse e ka që të mund të kyçet në testim. Problem më i madh ishte ai. Sipas protokolleve klasat duhet të ndahen nga 20 nxënës. Një arsimtar duhet një lëndë ta japë në të dy grupet, faktikisht në vend se të mbajë 23 orë në javë, ai duhet të mbajë 46 orë në javë.”,- deklaroi nënkryetari i SASHK–ut, Faton Çiçe.
 
Shabani: Komunat fajtore për shkolla të papërgatitura
 
Zëvendësministri i arsimit, Arafat Shabani, thotë se faji për mungesë të pajisjeve qëndron tek komunat që nuk ridestinuan mjetet e pashfrytëzuara nga dita kur u mbyllën shkollat.
 
“Katër - pesë muajt e fundit pse seriozisht nuk kanë menduar, pasi që mjete kanë pasur prej ministrisë, se si t’i ridestinojnë mjetet edhe për këto çështje. E tash erdh puna për tre - katër ditë duhet të fillohet, e tash dalin problemet se nuk kanë kompjuterë, ku kanë qenë deri tash?”,- theksoi zëvendësministri i arsimit, Arafat Shabani.
 
Edhe universitet janë të përgatitura që të nisin vitin akademik në formë të kombinuar, ligjërata online dhe mbajtjen e ushtrimeve në lëndët profesionale në grupe shumë të vogla.
 
MERAL ISMAILI