Maqedoni

VMRO-DPMNE nuk do t’i përkrahë, pezull vendimet për gjendjen e jashtëzakonshme

30.09.2020 16:13

Vendimet e presidentit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme mbeten pezull....

Vendimet e presidentit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme mbeten pezull. Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së nuk do të përkrahë ratifikimin e pesë vendimeve të presidentit Pendarovski për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Edhe pse pjesëmarrëse në qeverinë teknike, konsideron se vendimet, përkatësisht gjendja e  jashtëzakonshme është keqpërdorur nga ekzekutivi.
 
“Vendimet për gjendje të jashtëzakonshme u morën për ballafaqim më të mirë me pandeminë. Për fat të keq sot kemi gjendje shumë më të keqe të pandemisë. Baza tjetër për vendimet e këtilla ishte ballafaqimi me pasojat ekonomike nga pandemia dhe sot, disa muaj nga këto vendime, kemi përkeqësim drastik të gjendjes ekonomike në shtet, me rritje të madhe të papunësisë.”,- deklaroi Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE.
 
Vendimet për gjendjen e jashtëzakonshme, Xhaferi: Parlamenti respekton procedurën
 
Vendimet e presidentit janë vënë në rend dite në seancën e 16 plenare, pa një dakordësi paraprake të kryetarit të Kuvendit dhe grupeve parlamentare. 
Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, sqaron se vendimet duhet të ratifikohen më shumicë të cilësuar, përkatësisht me 81 votë.
 
“Në bazë të procedurave do të duhet të miratohen me shumicë 2/3 e votave, ashtu siç e parasheh kushtetuta, dhe gjithsesi se do të mbetet se cili do të jetë qëndrimi i grupeve parlamentare, gjegjësisht, deputetëve. Eventualisht për mosvërtetim ose mosmiratim të vendimeve për pasojat janë kompetente institucionet e tjera që të vlerësojnë pasojat juridike të mundshme. Në kontekst të Parlamentit procedura është e respektuar, dhe konform asaj janë vënë në rend dite sot.”,- theksoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
 
Seanca plenare, ku duhet të ratifikohen vendimet e presidentit Pendarovski për shpalljen  e gjendjes së jashtëzakonshme, u shty pa afat. Paraprakisht deputetet votuan propozim vendimin për zgjedhjen e kryetarëve, zëvendëskryetarëve, anëtarëve dhe zëvendësve të tyre në Komisionet e Kuvendit si dhe propozim vendimin për formimin e delegacioneve dhe grupeve parlamentare për bashkëpunim ndërkombëtar të Parlamentit.
 
SHPËTIM NUREDINI