Maqedoni

Tetovë, refuzohen kërkesat për mësim me prani fizike

30.09.2020 17:03

Shkolla Fillore “Rexhep Voka” në Shipkovicë, nesër do të jetë e hapur vetëm për nxënësit...

Shkolla Fillore “Rexhep Voka” në Shipkovicë, nesër do të jetë e hapur vetëm për nxënësit e klasës së parë, të dytë dhe të tretë, dhe për arsimtarët. 
 
Shkolla kishte bërë kërkesë deri tek Ministria e Arsimit që mësimin ta mbajë me prezencë fizike, por e njëjta u është refuzuar edhe pse drejtori i shkollës, Safi Beluli, thotë për TVM2 se i plotësojnë të gjitha kushtet për të pritur fizikisht nxënësit.
 
“Ne jemi përgatitur afër 90% për mësim me prezencë fizike dhe kështu mendojmë se i plotësojmë të gjitha kushtet. Kemi bërë shenjëzimin e shkollës, jemi furnizuar me mjete për dezinfektim, i kemi rregulluar klasat dhe mendimi ynë ka qenë se kërkesa do jetë pozitive, por ajo nuk është realizuar nga ana e Ministrisë.”,- deklaroi drejtori i Sh. F. “Rexhep Voka”, Safi Beluli.
 
Ministrja Carovska thotë se nëse shkollat kanë ose jo kushte për prani fizike, vendosin ekspertët e shëndetësisë e jo MASh.
 
“Ekziston një komision ekspertësh me tre përfaqësues të cilët thonë se ka shumë nxënës dhe nuk ka kushte. Nëse ata thanë kështu, ne duhet ta respektojmë atë, sepse ata dinë më mirë se të gjithë ne. Njëra është dëshira këtë herë dhe tjetra janë mundësitë reale.”,- u shpreh ministrja e ARSIMIT, Mila Carovska.
 
Shkollat rurale nuk kanë kushte për mësim online
 
Por, mundësitë reale për mësim online, sidomos në zonat rurale, janë larg asaj që presin autoritetet. Shkollat e tilla nuk kanë internet të fuqishëm dhe provat që janë bërë kanë dështuar. As fëmijët nuk kanë në përgjithësi internet apo lap-top në shtëpi. 
 
“Kemi problem me internetin, internetin e kemi shumë të dobët në Shipkovicë dhe në Brodec nuk bisedohet, atje i kemi me rrjetin A1. Shpeshherë nuk ka, edhe tani dy prova që i bëri Ministria e Arsimit për platformën nacionale tek ne, dështuam se nuk kishte rrjet.”,- theksoi drejtori i SH. F. “Rexhep Voka”, Safi Beluli.
 
“Ne nuk kemi lop-top për gjithë fëmijët, ka prindër që ka tre-katër fëmijë dhe kjo e bën të pamundur të ketë tre-katër lap-topa t’i blejmë çdo fëmije, ata mësojnë në të njëjtin orar.”,- tha kryetari i B. L. Brodec, Bashkim Fejzullahu. 
 
Këshilli i Prindërve në Brodec paralajmëron se do të bojkotojë mësimin. Paralajmërime për bojkot ka edhe nga komuna të tjera.
 
VISAR SADIKI