Maqedoni

Hapja e kufijve pa test PCR, Filipçe: Ka dakordim, presim edhe dy shtete

30.09.2020 17:48

Nga java e ardhshme pritet të hiqet testi PCR që tashmë gjatë kohë ishte kusht për të kaluar kufijtë...

Nga java e ardhshme pritet të hiqet testi PCR që tashmë gjatë kohë ishte kusht për të kaluar kufijtë. Ministri Filipçe thotë se ka biseduar me kolegët nga Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi, e tani pritet edhe Serbia e Bullgaria për një vendim të njëkohshëm të të gjitha shteteve.
 
“Ministrja e Shëndetësisë së Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës dhanë pëlqimin se mundet të hapen kufijtë në rajonin tonë. Jemi në pritje të Ministrisë së Shëndetësisë në Serbi dhe Bullgari, pas së cilës do të marrim vendim. Besoj në takimin e radhës të Komisionit për Sëmundje Infektive dhe të Shtabit. Takimi i radhës së Shtabit të Qeverisë është caktuar për të hënën.”,- tha ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Në vend të testit PCR do të bëhen testet  e shpejta që i japin rezultatet brenda 15 minutave.
 
GYLTENE SINANI